Fabio Kanavaro, i ftuar special në kursin e FSHF-së për licencën e trajnerit “UEFA PRO”

Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë një event më datë 18 prill në kuadër të kursit UEFA PRO, ku të ftuar specialë do të jenë Fabio Cannavaro dhe Francesco Troise.

Mbrojtësi legjendar italian do të vizitojë “Shtëpinë e Futbollit” për të mbajtur një leksion të hapur për të gjithë pjesëmarrësit e kursit UEFA PRO dhe jo vetëm, me temë “Nga futbollist në trajner, nga sukseset në fushë në kampionatet e fituara në pankinë”.

Fabio Cannavaro ka një karrierë mbresëlënëse si futbollist me ekipe të nivelit të lartë si: Napoli, Parma, Inter, Juventus, Real Madrid ku fitoi tituj të rëndësishëm. Karriera e tij kulmoi në Kupën e Botës 2006 në Gjermani, ku u shpall kampion me Kombëtaren italiane, ndërkohë që po atë vit mori edhe çmimin si futbollisti më i mirë në botë, pasi fitoi Topin e Artë.

Fabio Cannavaro e mbylli me futbollin e luajtur në vitin 2011 në klubin Al-Ahli, ku dy vite më vonë po me klubin nga  Emiratet e Bashkuara Arabe filloi karrierën si zëvendëstrajner. Në nëntor të vitit 2014, mbrojtësi legjendar italian u emërua si trajner i parë i skuadrës kineze Guangzhou FC, ndërsa më vonë ka drejtuar edhe klube si Al-Nassr, Tianjin Tianhai dhe Benevento. Ndërkohë që ka qëndruar për një kohë të shkurtër edhe në krye të Kombëtares kineze të futbollit.

Në karrierën e tij si trajner, Fabio Cannavaro ka fituar disa tituj të rëndësishëm. Me skuadrën e Al-Ahli që në sezonin e parë si zëvendëstrajner ai fitoi “UAE Pro League” dhe “UAE League Cup”. Cannavaro në qershorin e vitit 2016 u emërua si trajner i Tianjin Tianhai ku bëri shumë mirë pasi e riktheu skuadrën në Superligën Kineze.

Në vitin 2017 ai fitoi edhe çmimin si trajner i vitit në Kinë i akorduar nga Federata Kineze e Futbollit. Në muajin nëntor të vitit 2017, Fabio Cannavaro u rikthye sërish në drejtimin e skuadrës kineze Guangzhou FC, ku në dhjetor të vitit 2019 fitoi titullin kampion të  “Chinese Super League”.

Një leksion për kursantët e UEFA PRO do të mbajë Francesco Troise, i cili në karrierën e tij ka punuar me Fabio Cannavaron. Në sezonin 2015-2016 ai ishte pjesë e stafit teknik të Fabio Cannavaro-s te skuadra e Al Nassr, ndërsa te klubi i Tianjin Tianhai ai mori për herë të parë detyrën si zëvendëstrajner.

Me Fabio Cannavaron, Francesco Troise ka punuar edhe te Guangzhou FC si zëvendëstrajner, ndërsa te Benevento ishte pjesë e stafit teknik. Në karrierën e tij, Francesco Troise ka punuar edhe te klubet e Chievo Verona, Watford dhe Catania.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!