Osmani: Ka rëndësi fitorja, Cungu ka futur filozofi të re te Laçi

Në vigjilje të ndeshjes me Laçin për javën e 31-të Abissnet Superiore, trajneri i Vllaznisë Qatip Osmani ka dhënë versionet e tij lidhur me situatën aktuale të skuadrës së tij. Ai vlerëson kundërshtarin teksa beson te kualitetet e Vllaznisë.

Osmani:

Osmani, si po e prisni ndeshjen me Laçin?

Ndeshja kundër Laçit është me shumë rëndësi për ne. Na vjen një ekip që në takimet e fundit ka treguar një lojë të mirë dhe ka marrë rezultate të mira, megjithatë objektivi ynë është vetëm fitorja, për shkak se duam të forcojmë pozitat në tabelë.

Duket se gara po bëhet interesante në këtë fund të kampionatit?

Ne e thamë edhe para takimit me Partizanit që për ne ishte e rëndësishme të mos humbin. I arritëm qëllimit. Janë edhe 6 takime dhe unë do të thosha se duhet që të jemi të kujdesshëm në ndeshjet tona. Janë edhe shumë pikë në lojë, kështu që është e rëndësishme që me Laçin të fitojmë.

Loja e mirë ndaj Partizanit a është një garanci për këtë ndeshje?

Nuk i ngjet loja-lojës, pasi edhe Laçi ka llogaritë e veta. Janë në një luftë, ku ata kërkojnë pikë dhe kanë më shumë besim tashmë. Ne duhet që të japim maksimumin dhe të tregojmë seriozitetin tonë për ta fituar këtë takim.

Keni tri ndeshje pa fitore, besoni se do të vijë kthesa?

E rëndësishme është fitorja në këtë ndeshje, për ecurinë e kampionatit. Vendi i parë dhe i dytë kanë shumë rëndësi për “Final 4” dhe ne kemi si objektiv këto dy vende, kështu që duhet të fitojmë.

Skuadra e plotë në këtë ndeshje?

Po. Kemi disa probleme me portierët, por mund të themi se Vllaznia është e plotë këtë herë.

Rikthehet Smajli, që ju ka munguar në këto ndeshjet e fundit…

Bëhet fjalë për një lojtar që ka qenë stabël në formacion. Dihen vlerat e tij tanimë dhe mund të them se është një plus i madh për ne ky rikthim.

Në krye të skuadrës së Laçit është një emër i njohur, shkodrani Armando Cungu, që e njeh lojën e Vllaznisë…

Po, e njeh lojën e Vllaznisë, por për më tepër është një ndër trajnerët më të mirë në Shqipëri. Sigurisht që në paraqitjet e fundit të Laçit u pa se ai ka futur në ekip një frymë dhe filozofi të re, që ka sjellë edhe rezultate. Duke njohur mentalitetin e kësaj kategorie dhe të Vllaznisë, për Laçin është një plus i madh.

Garë e fortë në krye, por edhe në fund, duket një kampionat mjaft i luftuar, apo jo?

Po, shumë interesant. Nëse analizojmë një kampionat që ende nuk është i sigurt as kreu i tabelës dhe as mbijetesa, e bëjnë atë tejet interesant. Deri në fund do të shkojë kështu. Kampionati ka peshën e vet, por shumë shpejt vjen edhe Kupa.

A po mendoni edhe për të?

Sigurisht që mendojmë edhe për Kupën. Nuk ka qetësi, pasi Vllaznia lufton në kampionat dhe kupë, do të mundohemi që në të dy garat të jemi konkurrentë seriozë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!