FSHF hap garën për tregtimin e të drejtave të emërtimit të Kampionatit Kombëtar “Kategoria Superiore” 2024-2027
Federata Shqiptare e Futbollit dhe Liga Profesioniste e Futbollit njoftojnë të gjitha organizatat dhe kompanitë e interesuara se ka filluar procesi për tregtimin e të drejtave të emërtimit të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë Superiore për ciklin futbollistik 2024-2027.
Përmes sigurimit të së drejtës së emërtimit të kampionatit elitë në vend, organizata bëhet partnere me FSHF dhe klubet anëtare, fiton ekspozim të gjerë në mediat tradicionale (përmes emisioneve të ndryshme televizive, kronikave në edicionet informative etj.) dhe ato online, si edhe promovim në të gjithë skenën kombëtare dhe jo vetëm.
FSHF dhe Liga Profesioniste e Futbollit fton të gjithë të interesuarit të paraqesin interesimin e tyre pranë Departamentit të Marketingut të Federatës Shqiptare të Futbollit. Propozimi juaj duhet të përshkruajë vizionin tuaj për partneritetin, duke theksuar përfitimet reciproke që do të sillte për të dyja palët.
Shfaqja e interesit duhet të shoqërohet me detaje në lidhje me organizatën tuaj, objektivat e marketingut dhe çdo përvojë të mëparshme në sponsorizimin sportiv ose bashkëpunime të ngjashme.
Afati i fundit i dorëzimit:
Propozimet duhet të dorëzohen brenda datës 23.03.2024 në: [email protected].
Për pyetje ose detaje të mëtejshme në lidhje me këtë mundësi, përfshirë dokumentet informative, listën e mundshme të përfitimeve dhe kontratën tip, ju lutemi na kontaktoni në [email protected].
FSHF mirëpret propozimet tuaja dhe mundësinë e bashkëpunimit me ju për të vijuar zhvillimin e Kampionatit Kombëtar “Kategoria Superiore” në majat e reja të suksesit.