Sot në Gllasgou vendoset për kartonin ‘Blu’, Infantino: Jemi kundër
Lajmi për aplikimin e kartonit ‘blu’ bëri mjaft bujë në botën e futbollit. Në fakt, prej rreth një muaji flitet për ardhjen e “kartonit blu”: masë e re e projektuar nga IFAB, sanksion mes të verdhit dhe të kuqit. Një përjashtim me 10 minuta i cili parashikon të përdoret vetëm në rast të protestave të tepërta nga një lojtar ose në rastin e të ashtuquajturit “faull taktik” ose situata josportive, si p.sh. mbajtjet e përsëritura.
Risia duhet të prezantohet zyrtarisht në takimin e IFAB të planifikuar sot, që do të mbahet në Gllasgou të Skocisë. Lidhur me këtë ide ka pasur një refuzim të ashpër nga presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, i cili e ka penguar menjëherë këtë “risi”:
“FIFA është krejtësisht kundër”, tha numri një në futbollin botëror para asamblesë së përgjithshme të IFAB-it. “Kartonët blu nuk do të përdoren në futbollin profesionist. Kjo nuk është një çështje për ne, por mendoj se FIFA ka diçka për t’i thënë IFAB”, raporton Sky Sports UK.
“Ne në IFAB dhe FIFA jemi gjithmonë të hapur për ide dhe sugjerime të reja,” tha Infantino. “Këta duhen trajtuar me respekt, por duhet të mbrojmë lojën dhe traditën. Ka një karton të kuq që ka të njëjtën vlerë si ai blu”.