Transfretë delikate, Abilaliaj: Laçi rival i vështirë, duam vazhdimësi

Partizani ka në program transfertën e Laçit teksa të mërkurën në orën 14:00 do të luajë me vendasit e teknikut Mirel Josa për javën e 11-të Abissnet Superiore. Para kësaj ndeshjeje para mediave u shfaq drejtori sportiv njëherazi dhe trajneri por me cilësinë e trajnerit Arbër Abilaliaj.

Më poshtë të gjitha përgjigjet e trajnerit të kuq që në tri ndeshjet e fundit Partizani i tij ka siguruar fitoret në kohën shtesë…

Abilaliaj:

Laçi kundërshtar i radhës…-“Laçi patjetër është një kundërshtar i vështirë, i konsoliduar, i cili besoj se është në kërkim të pikëve maksimale se luan në shtëpinë e vet. Kjo është një ndeshje e cila ne na konsolidon në aspektin e ecurisë që kemi dhe besoj që të vazhdojmë këtë rrugë sepse edhe mënyra se si është punuar këto ditë, futbollistët kanë qenë të gjithë thuajse të rikuperuar. Jemi besimplotë për të shkuar që të luftojmë e marrim tre pikët.”

Ka vend për përmirësime? -Përmirësimi asnjëherë nuk ka përfundon. Gjithsesi, fitorja është element i rëndësishëm se mbi të ndërtohen skuadrat e mëdha, edhe vetëbesimi. Të fitosh të ndihmon hera-herës edhe të vazhdosh të fitosh. Jo pa shkak kemi fituar në fund, është kërkuar që të arrihet rezultati, pak rëndësi ka nëse arrihet në pjesën e parë a të dytë. E rëndësishme është që ekipi të konsolidohet javë pas javë, edhe repartet të konfigurohen, se e dimë që mungesat vazhdojnë shpeshherë. Por të gjithë që kemi në dispozicion kanë reaguar mjaft mirë, ndaj jemi të kënaqur me të gjithë ata që kemi në dispozicion.”

Gjëndja e lojtarëve me probleme? -“Gjendja vazhdon të jetë siç ka qenë, thjesht ata që kanë luajtur vazhdimisht janë rikuperuar nga ndeshja e fundit. Kishim 3 ditë kohë për ndeshjen, por nga të dëmtuarit e përhershëm, nuk është asnjë i disponueshëm.

Mungesat po na vendosin në vështirësi, por siç e thashë po mendojmë variacionet që të dalim përsëri e qëndrojmë te mënyra e lojës tonë, duke pasur parasysh që kundërshtari ka lojtarë fizikë sidomos përpara. Por mendojmë që me kontingjentin që kemi, do të tregojmë me këtë ekip kualitetin dhe mirëorganizimin tonë.

Duke pasur parasysh karakteristikat e futbollistëve, e kemi kontingjentin edhe në shtëpinë tonë për të luajtur që edhe jashtë të shprehemi mirë, se hapësirat mund të jenë të mëdha. Skuadrat pritëse ndoshta kanë aspiratat që të luajnë futboll të hapur. Në mënyrën se si jemi të ndërtuar, Partizani është më i përshtatshëm për të luajtur jashtë, në fusha të mira, ndaj mendoj se është një pikë e mirë për të bërë edhe pikën e kthesës, se transfertat kanë qenë të vështira në të kaluarën, por nuk do të thotë që janë gjithnjë.”

Fitore në minutat e fundit? -“Tre fitore janë arritur në fund, është rrjedhojë e shumë rasteve të prodhuara e joshfrytëzuara. Ndeshja me Kukësin u zhbllokua që në minutën e dytë. Për momentin ende nuk e kemi konfiguruar sulmuesin që në një rast na bën gol, kualiteti është, e kemi aty, duhet të punojmë, nuk është e lehtë të arrijmë të kapërcejmë këtë. Por duhet të kemi parasysh që kemi shumë lojtarë të rinj në moshë, duhet eksperienca. Por patjetër sulmuesit dhe mesfushorët tanë që dalin para portës, të punojnë shumë në këtë aspekt. Kjo histori ka nisur që në Kupat e Europës, që në ndeshjen e parë ku kemi humbur raste pa fund e në fund jemi eliminuar, pikërisht për këtë arsye.  Por në kampionatin shqiptar mendoj se patjetër duhet të bëjmë diferencën.”

Abilaliaj fiton në Shqipëri, Zekiç në Kroaci…-“Partizani fiton në Shqipëri dhe Zekiç në Kroaci? Janë situata dinamike në botën e futbollit, njihen këto gjëra. Ne kishim një bindje, duke pasur parasysh sistemin e krijuar që në fillim të seznit, bazamenti ishte i mjaftueshëm, garancia është grupi e kualiteti. Në momentin që erdhi interesimi për të blerë kartonin e tij, menduam që ishte më e udhës që të shkonte në klubin që e kërkonte. Por thashë edhe një herë që bazamenti janë futbollistët, grupi i jashtëzakonshëm, e kam thënë që janë të uritur e kanë dëshirë, sa më shpejt të dominojnë kampionatin.”

Shehi si trajner? -“Mos gaboj kësaj gjëje i jam përgjigjur edhe para dy javëve. Orgesi është një nga njerëzit… Kur e mendoj që jam duke fituar, kjo gjë po zbehet javë pas jave. Për momentin, besoj që në momentin që do jetë, do e merrni vesh të parët, nuk është vendosur ende 100%.”

Bashkë me Egnatian luftoni kreun…presion?-“Duke parë edhe disponibilietin e gjithë grupit, nuk mendoj se jemi në presion. Jemi fokusuar që të bëjmë mirë në çdo ndeshje, të rregullojmë në çdo aspekt të lojës se në mbarëvajtje kemi gabimet tona. Por e përgjithshmja na jep besim gripi i lojtarëve. Nuk jemi në presion, jem të vetëdijshëm për forcën tonë dhe që kemi shumë rezerva për të shfrytëzuar, se kur të kemi të gjithë grupin e gatshëm, do të jetë e vështirë jo vetëm për Egnatian, por për çdo ekip të përballojë Partizanin.”

Vazhdimi si trajner? –“Ta marrim në mënyrë hipotetike që unë i kam thënë “jo” disa herë, dhe nuk është në aspiratën time një gjë të tillë. Se puna e trajnerit është një gjë, që ne jemi duke kërkuar një projekt. Jo një mbarëvajtje sezonale dhe projekti 2-3-4 vjet, mund ta bëjë një trajner që merret me kohë të plotë. Ndaj nuk ka mënyrë hipotetike apo të vërtetë, ndaj kjo është e pamundur për ta diskutuar”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!