Valbona dominon Grupin A, Fuçia: Të ulim euforinë
Ekipi i Kategorisë së Dytë, Valbona, kryeson gjithë meritë renditjen në Grupin A, ndërsa për drejtuesit dhe stafin teknik, ky ekip qëndron në rrugë të mbarë drejt objektivit final, ngjitjen në të Parën.
Kontigjenti i futbollistëve është zgjedhur me profesionalizëm teksa mjafton të përmendet fakti që te tropojanët ka elementë si Gerhard Progni për të kuptuar se cili mbetet objektivi final i klubit verior.
Në fakt, te Grupi A, beteja për të arritur te niveli i dytë i futbollit shqiptar duket mjaft e fortë. Me një biletë të vetme për t’u ngjitur (katër të tjerat nga vendi i 2 deri te i pesti shkojnë në play off), duket pas katër javëve veç Valbonës me pikë të plota 12-të, ekipe si Sopoti, Besëlidhja, Gramshi, Iliria e Tërbuni premtojnë garë deri në fund.
Ndërkohë, pasi fituan me Adriatikun 0-5, këtë radhë ekipi i Valbonës do të presë Gramshin. Para kësaj sfide teksa skuadra u stërvit të Pezë-Helmes, trajneri Gazmend Fuçia tha se grupi i tij nuk ka ndërmend të zbresë në fushë me doza eufore por sipas tij, ndaj Gramshit, do duhet bërë maksimumi për të shkuar te tri pikët.
“Ndeshje e vështirë ndaj një rivali plot eksperiencë e pretendent. Nuk kemi probleme me lojtarët ndërsa në aspektin e përgatitjes që po i bëjmë kësaj shtëpiakjeje po punojmë paralelisht të mos biem në eufori. Objektivi mbetet vetëm fitorja“,tha trajneri./Ahmet Zani/