Duka: Silvinjo ka heshtur më kritikët, Euro 2024? Mendojmë vetëm për Çekinë


Armand Duka, presidenti i FSHF-së, ka dhënë një intervistë për “Supersport” pas fitores së arritur me Poloninë. Fillimisht ai ka rrëfyer emocionet e atij triumfi, por nga ana tjetër kërkon që të mbajë skuadrën me këmbë në tokë. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar shikon tre finale përpara, ndërkohë që kur pyetet për golin më të bukur në kualifikueset e “Gjermani 2024” e ka të vëshirë të japë një përgjigje. Presidenti i FSHF-së vlerëson punën e mirë të trajnerit Silvinjo dhe vë në dukje faktin që askush nuk ka kritika për të, ndërkohë që zbulon edhe mesazhin më të bukur që ka marrë pas fitores me Poloninë. A po nisin të mendojnë në FSHF për organizimi në Gjermani? Edhe për këtë presidenti ka zbuluar diçka.

FITORJA ME POLONINË – “Pa dyshim që kam qenë shumë i gëzuar pas ndeshjes, kam festuar bashkë me ekipin dhe gjithë të tjerët përreth. Pastaj pas gëzimit fillon dhe mendon për të ardhmen, fillon mendon për ndeshjet e radhës, mendon se si duhet të ulemi me këmbë në tokë dhe të vlerësojmë maksimalisht ato. Kemi bërë vërtetë një ndeshje shumë të mirë, kemi marrë një rezultat shumë pozitiv, ka qenë një atmosferë fantastike dhe një lojë e bukur, që padyshim i ka gëzur të gjithë. Tani duhet të kthehemi e shkojmë përpara”.

KUALIFIKIMI NË EURO 2024 – “Nuk duhet të bëjmë llogari, nuk duhet të themi që jemi në Gjermani, pavarësisht rezultateve pozitive, pavarësisht paraqitjeve shumë të mira, pavarësisht atmosferës shumë pozitive të krijuar – duhet theksuar – rreth skuadrës. Duhet që t’i vlerësojmë këto tre ndeshje si tre ndeshje finale, duke filluar ashtu siç thuhet në futboll, nga ndeshja e radhës me Çekinë. Çekia është një kundërshtar shumë i fortë, mbase më i fortë se Polonia”.

GOLAT E BUKUR NË KUALIFIKUESE – “Golat janë të gjithë të bukur. Topi kur shkon në rrjetë gjithmonë është i bukur, sepse të jep rezultatin, të jep pikët. Për momentin, për surprizën që të krijon, golat kanë qenë shumë të bukur këtë edicion të Kombëtares shqiptare. Nuk mund t’i dallosh. Gol fantastik i Asanit ndaj Moldavisë, gjithashtu i Asllanit ndaj Ishujve Faroe, goli i Bajramit në Çeki ishte fantastik dhe ky i Dakut, me shumë emocion. Mbase kishte më shumë bukuri sepse Daku sapo hyri në fushën e lojës, ishte kontakti i parë ose maksimumi i dytë me topin dhe e çoi atë në rrjetë nga një pozicion i vështirë. Të gjithë golat ishin shumë të bukur. Nuk mendoj se fitoret, rezultati apo klasifikimi janë individual. Futbolli është lojë kolektive. Pavarësisht se goli vjen nga një veprim individual, është rrjedhë logjike e lojës së skuadrës, e përgatitjes së lojës, e stafit e të gjithëve”.

VLERËSIMI PËR SILVINJON – “Si rrallë herë, jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë botën e futbollit, Silvinjo dhe stafi i tij kanë përcjellë mesazh pozitiv, kanë krijuar opinion pozitiv dhe Silvinjo nuk ka kritikë nga asnjë i fushës. Edhe ata që janë kritikët më të mëdhenj të futbollit shqiptar apo të Federatës Shqiptare të Futbollit, me Silvinjon janë pozitivë. Kjo është falë përkushtimit të tij, falë punës së tij dhe të stafit. Dua ta theksoj, edhe të stafit, jo vetëm atij të huaj, por edhe atij shqiptar. Në fund të fundit ai është dirigjenti, por ka një armatë njerëzish që punojnë me të dhe që janë shumë të përkushtuar. Në ndryshim nga stafet e mëparshme, janë me kohë të plotë në dispozicion të ekipit kombëtar, janë në Federatë, përgatisin ndeshjet, shohin videot. Mendoj që kemi qëlluar, jo rastësisht, por kemi bërë zgjedhjen e duhur”.

LISTA E ZGJERUAR – “Numri i lojtarëve është një nga faktorët kryësorë të suksesit. Përveçse kemi shumë futbollistë shumë të mirë sot, që janë të nivelit të lartë, që luajnë në ekipe të mira, që marrin minuta në ekipet e tyre, ne kemi stol, kemi të tjerë jashtë skuadrës që mund të ishin në skuadër dhe janë po njëlloj të mirë dhe të bëjnë entuziastë për të ardhmen, të bëjnë të mendosh që ne kemi një të ardhme të mire”.

MOSHAT KUQEZI – “Kombëtarja U-17 u kualifikua në Elite Round vitin e kaluar dhe vazhdoi këtë vit, Shqipëria U-21 ka nisur edicionin me një fitore në Armeni, në një transfertë të vështirë, për të luajtur nesër me Rumaninë. Ata janë në një grup që mund të arrijnë të kualifikohen, kanë elementë shumë të mirë në skuadër, kanë futbollistë me shumë perspektivë. Padyshim që është vetëm fillimi, ndeshja e parë, duhet që edhe Kombëtarja U-21 të krijojë një grup kompakt, që është baza e suksesit në futboll. Nuk mjafton që të kesh elementë të mirë, nuk mjafton që të kesh futbollistë të mirë, duhet të kesh skuadër të mire”.

MESAZHET PAS POLONISË – “Kam marrë pafund urime, por në fakt një mesazh nga Vasil Ruci më ka bërë përshtypje. Më shkruante që futbolli do t’i çoje shqiptarët në Gjermani si europianë dhe jo si refugjatë”.

PLANET PËR EURO 2024 – “Në avion duke fluturuar për në Çeki, i kam nxjerrë listën e hoteleve dhe qendrave të grumbullimit trajnerit Silvinjo dhe i kam thënë të zgjedhim se ku do rrimë në Gjermani. Kjo ishte thjesht për t’i dhënë atij një mesazh që ne do shkojmë në Gjermani dhe të jemi të përgatitur për këtë, jo se nuk kemi kohë për t’i zgjedhur ato. Kemi vënë disa piketa në të gjithë vendet, por kjo nuk duhet të na çojë në eufori. Padyshim që ne duhet të përgatitemi edhe për atje, por duhet të mendojmë siç thashë edhe në fillim, që kemi edhe tre ndeshje shumë të vështira. Kemi Çekinë, kjo është më kryesorja, duhet të mendojme vetëm 12 tetorin kundër Çekisë. Patjetër duhet të pretendojmë dhe të kemi objektiv rezultat pozitiv me Çekinë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!