Shehi: Beshkitash? Tirana ka personalitetin e saj

Të enjten Tirana do të luajë ndeshjen e parë në Stamboll me bardhezinjtë e Beshkitash (20:00) që drejtohet nga ish trajneri i Kombëtares turke Senjol Gynesh.

Para kësaj ndeshje foli tekniku i bardhebluve Orges Shehi teksa vlerëson gjigandët turq dhe jep shpresë se skuadra e tij mund të rivalizojë në duelin e dyfishtë të turit të dytë të Conference League me Beshiktash.

Shehi:

Tirana arriti një kualifikim të rëndësishëm ndaj Dinamos së Batumit, si e ke parë skuadrën këto ditë stërvitje?

Gjendja është shumë normale. Edhe Kaina, i cili ka pasur në fillim gjendje gripale dhe më pas personale, është me ekipin, ndonëse jo në 100 përqindëshin e vet. Grupin e kemi të plotë në çdo aspekt. Sigurisht që ka optimizëm, sepse kemi kaluar një transfertë të vështirë. Gjithsesi, duke bërë llogaritë, kemi një tjetër transfertë të vështirë, pra kjo ndeshje që na pret të enjten në Stamboll.

E mendoni kualifikimin në Turin e Tretë?

Të vërtetën do të them në këtë moment. Në futboll është e vërtetuar që nuk fiton gjithmonë më i miri dhe më i forti. E dimë që do të luajmë përballë një ekipi shumë të fortë. E dimë që shanset i kanë më shumë ata, por sigurisht në futboll, duke përsëritur atë që përmenda më parë, i bie që çdo ekip të luajë mundësitë e veta. Edhe ne, ndonëse kemi një kundërshtar të fortë, duhet të tregojmë atë që jemi dhe të shfaqim personalitetin tonë.

Beshiktashi skuadër e madhe, sa e njeh Shehi ekipin turk?

Beshiktashi nuk ka zhvilluar ndeshje zyrtare. Ka zhvilluar vetëm dy miqësore. Me aq mundësi, i kemi analizuar dhe parë me kujdes. Kemi një informacion për skuadrën dhe titullarët. Mendoj se lojtarët që kanë ardhur ditët e fundit nuk do të jenë në fushën e lojës. I njohim, por në fushë është tjetër gjë. Nuk kanë ndeshje zyrtare dhe nuk e kemi informacionin e plotë.

Sa e rëndësishme është ndeshja e parë dhe a varet kualifikimi nga kjo sfidë?

Janë ndeshje me dy takime dhe zakonisht kualifikimi vendoset në sfidën e dytë. Do të mundohemi që të përmirësohemi, ndonëse kemi bërë një ndeshje të mirë përballë një kundërshtari shumë të fortë në Gjeorgji. Si moduli, ashtu edhe vendosja e loja ndryshojnë. Rëndësi ka shumë kualiteti dhe Beshiktashi ka më shumë kualitete në fushë se Batumi. Rrjedha logjike e lojës është ndryshe. Në këto kushte do të shohim pas takimit të parë, por jemi koshientë që do të kemi kundërshtarë të fortë dhe gjithmonë do të futemi në fushë me personalitet.

Shehi keni luajtur dy ndeshje me Beshiktashin…

Kam qenë pjesë e skuadrës së Skënderbeut në Kupat e Europës. Luanim në fazën e grupeve Europa League. Një gjë është evidente dhe e pranishme te kundërshtari. Që ka gjithmonë lojtarë cilësorë. Lojtarë të nivelit të lartë. Janë klub me histori dhe buxhet. U ndryshojnë emrat, por janë individë të rëndësishëm në futboll. Janë tablo të ndryshme. Atëherë isha lojtar, tani jam trajner. Është diçka e bukur të shkosh dhe të përplasesh me kundërshtarë të tillë, sepse është përballje që na rrit më shumë.

Me kualifikimin ndaj Dinamos së Batumit, Tirana e ka bërë punën e saj në Europë?

Tirana është skuadra më fatkeqe përsa i përket shortit të Europës. Ekipet e tjera e kanë pasur më të lehtë në short, ne shumë të fortë. Si Beshiktashi dhe Batumi janë të fortë. Me turqit që janë edhe më shumë. Ne donim të kalonim turin dhe shanset ishin 50 me 50. Arritëm të kualifikohemi në fushë kundërshtare. Ne jemi pjesë e një skuadre që është e dënuar të bëjë gjithmonë maksimumin.

Në dy ndeshje kemi ndryshuar dy lojtarë. Nuk jam i asaj që ndryshimi i lojtarëve apo njerëzve në fushë mund të jetë domethënës. Në fushë luajnë 11 vetë. Po të kisha mundësi do të aktivizoja 16 lojtarë. Pak rëndësi ka kush e fillon, por të gjithë duhet të kenë dëshirën, entuziazmin për të treguar veten sa herë luajnë dhe të ndryshojnë fatet e takimit.

Një opinion për formatin e kampionatit?

Për formatin nuk e di nëse është ndryshim përfundimtar. Ka një lëvizje nga skema e sezonit të shkuar. Nuk e di nëse do të luhet edhe me 4 skuadrat në fund. Megjithatë, mendoj se pas 36 javësh fatet të varen në ndeshjet e fundit. Ndoshta është e diskutueshme. Të gjitha skuadrat që investojnë do të duan të dalin te katër të parat. Për skuadrat që kanë traditën, fanellën, titujt nuk kanë kurrfarë rëndësie 36 javët që janë një maratonë shumë e gjatë. Do të shohim se çfarë do të bëhet.

Nuk e di nëse skema është përfundimtare apo jo. Deri në 19 gusht kemi kohë. Po diskutohet, por nuk e dimë skemën përfundimtare. Fakt është që kush del i katërti për 10-12 ditë mund të dalë kampion. Pra, për 10 ditë je i avantazhuar apo i disavantazhuar. Në atë kohë mund të kesh dëmtime dhe të ikën gjithë mundi i 36 javëve.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!