Tirana/ Shehi flet për shortin dhe…kampionatin bardheblu

Në një intervistë për “Sport News” në “News 24”, trajneri i Tiranës Orges Shehi ka komentuar shortin e sotëm për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë por dhe tema të tjera që lidhin bardheblutë me kampionatin dhe situatën në skuadër.

Shehi:

Shehi, short me fat, shmangët Vllazninë, fituese në fuqi. Por Teuta është kthyer në një mace të zezë, ju ka mposhtur në dy përballjet e fundit…
Unë nuk mendoj se ka fat në këtë fazë. Në katër më të mirat shkojnë skuadrat që kanë bërë mirë. Kemi ecuri të mirë këtu dhe nuk ka favorit. Pas ndeshjes së parë mund të shikosh se kush është i avantazhuar.

Shehi, mbetet titulli objektiv fiks? Apo ndryshon diçka me Kupën në mes? A mjafton Kupa për ta quajtur një sezon të suksesshëm? Osmani psh foli edhe për “tripletë”, është e mundur?
Ne kërkojmë që të marrim më të mirën, ne jemi brenda objektivave. Ne do tentojmë të bëjmë maksimumin. Kemi fituar Superkupën, edhe pse nuk është një trofe primar. Fokusi është të kampionati dhe kampionati. Ne do të përqendrohemi. Fokusi është te ndeshja e radhës.

Më bëri përshtypje një tjetër deklaratë e Osmanit: Mendojmë se titullin kampion e kemi të fituar, pse kaq i sigurt drejtori sportiv? Apo kështu e shihni dhe ju?
Unë nuk e kam dëgjuar, ndoshta e ka lënë fjalinë përgjysmë. Titulli nuk fitohet jashtë fushe, fitohet në fushë. Ndoshta e ka patur sa i takon ecurisë. Ai e di mirë sesi fitohet titulli, nuk kam folur me të.

Shehi, sa ju shërbeu pauza që solli Kombëtarja? Përveç Patrik, a është grupi i plotë?
Zakonisht shërben për mirë, por ne na ka shërbyer për keq. Kristalin nuk e kemi në gjendjen e tij më të mirë. Nuk e futëm në miqësore. Nuk jemi të sigurt për Deliun nëse do jetë apo jo pjesë e skuadrës.

Në tre ndeshjet e radhës luani në shtëpi, më saktë jeni pritës, sepse me Erzenin do luani në Elbasan, plus pa tifozë. Sa impakt ka efekti fushë te Tirana dhe a është kjo periudha që do të vendosë shumë për objektivin titull?
Shtëpinë në letër, ne do luajmë në Elbasan. Pak diferenca ka fusha brenda apo jashtë. Rezultatet po e tregojnë këtë. Do donim të luajmë në “Air Albania” por nuk luajmë dot. Ne po shkojmë në Elbasan, kurrsesi nuk mund të bashkojmë 3 ndeshje bashkë. Gjithsecila ndeshja ka specifikat e veta. Ndeshja e të dielës? Fokusi është aty. Nuk mendojmë për të ardhmen, por vetëm për të tashmen.

Shehi, pse kaq shumë luhatje, pse e ka të vështirë Tirana, por edhe rivalët, të kenë vazhdimësi këtë sezon?
Unë flas për skuadrën time. Skuadra ka kaluar tranzicion të madh. Nga ekipi i vjetshëm kemi shumë pak lojtarë. Në gusht na janë larguar lojtarë të rëndësishëm dhe sërish bëmë mirë. Në janar na ikën Geci, apo Xhixha. Kur ke kaq shumë lëvizje, oshilacionet janë normale. Jemi të kënaqur me ecurinë. Ne jemi të ndërgjegjshëm për gjithçka.

Në fund dua një mendim personal, si një ish lojtar i Kombëtares, çfarë shije të la sfida me Poloninë, trajneri Silvinjo dhe sa shanse i jep Shqipërisë për të shkuar në Evropian?
Ne duke patur lojtarë që luajnë në nivele të larta, duam të luajmë në Europian. Ndeshjet e kombëtares dhe lojërat e mira harrohen shumë shpejt. Ndeshjet në ligë të shërbejnë për mirë për vazhdimësinë. Vazhdimësia në ekipin kombëtar është 3 muaj. Do isha i kënaqur nëse do luanim keq dhe do fitonim. Na mungoi cinizmi dhe fati. Mëkat që dolëm pa pikë. Kemi Poloninë dhe Çekinë në grup, skuadra që kanë qenë më shumë se ne në Europian. Janë ekipe me traditë. Shanset do të duken në shtator. Optimizmi është, fryma e mirë ndikon në performancen e gjithsecilit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!