Dinamo fiton në Vlorë, tension i madh për një…penallti

Dinamo fiton finalen e javës së 20-të të Kategorisë së Parë. Sot në stadiumin ‘Flamurtari’, blutë e Dritan Mehmetit, ia dolën përmes një penalltie të shndërruar në gol nga Denilson në të 80′-ën të ‘hakmerret’ ndaj vlonjtave të Marcelo Troisit (humbën ndeshjen e fazës së parë 1-5).
Në fakt, dueli Flamurtari- Dinamo, nisi me një numër të madh të tifozerisë kuqezi në shkallë. Në fushë, ndeshja e cila pritej të ishte kartolinë e një dueli mbushur me raste e gola, dha të kundërtën pasi në fraksionin e parë u prodhua pak ose asapk.
E dyta, nisi me lojë nervash ndërsa fatet e takimit i zgjidhi një penallti e akorduar pak para fundit. Kreshnik Cjapi dalloi një kontakt në zonë për blutë teksa Denilson realizon golin e 12 personal dhe i jep tri pikë skuadrës kryeqytetase.
Në këtë pikë të ndeshjes, pati kontestime e tension të madh. E shoqëruar me mjaft shishe plastike në fushë, sfida u shty për 8 minuta. Nuk i shpëtoi ndëshkimit me karton të kuq as trajneri i vendasëve Troisi i cili shkoi deri te pankina e bluve duke u “kapur” me drejtorin mik Barushaj.
Ndërkaq ndeshja tjetër e ditës u luajt më herët në Fier. Apolonia kaloi 1-0 skuadrën e Orikut me një tjetër penallti të kthyer në gol nga Omeri (75′)./Sportiim.al/
Kategori e Parë, java e 20-të:
Apolonia- Oriku 1-0
Flamurtari- Dinamo 0-1