Ceferin takon Vuçiç, kreu i Serbisë: Në Surçin do ndërtohet impianti modern

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, i cili ka vizituar dje Beogradin, nuk ka përjashtuar krijimin e një lige rajonale të futbollit, pavarësisht rreziqeve që lidhen me një iniciativë të tillë. “Nuk e përjashtoj mundësinë e formimit të një lige rajonale. Megjithatë, organizimi i një lige të tillë në rajonin tonë apo në territorin e ish-Jugosllavisë është aktualisht shumë i rrezikshëm”, tha Ceferin, i cili vjen nga Sllovenia.

Duke folur para prezantimit të një programi të ri televiziv sportiv, Ceferin iu referua në të njëjtën kohë Kupës së Botës së fundit të fituar nga Argjentina në Katar, duke vëzhguar sesi ekipet europiane – Franca dhe Kroacia – përfunduan në vendin e dytë dhe të tretë.

“Edhe pse për herë të parë që nga viti 2002 një vend joeuropian fitoi Kupën e Botës, në turneun e fundit përsëri dominuan ekipet kombëtare europiane, duke zënë vendin e dytë dhe të tretë. Futbolli europian është përpara të tjerëve, duke pasur konkurrencë vetëm nga Brazili dhe Argjentina, lojtarët e së cilës të gjithë luajnë në Europë”, tha Ceferin, i cili shtoi se nuk ndante planin e FIFA-s për të zgjeruar pjesëmarrjen në Botërorin e ardhshëm.

“Është problem i FIFA-as, por për mendimin tim cilësia do të bjerë. Do të ketë më shumë ndeshje jo interesante. Por kjo nuk është problem për UEFA-n, dhe pikërisht për këtë kampionati europian është cilësisht më i mirë i botës”.

Ceferin, i cili u prit nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, ka vizituar selinë e federatës serbe të futbollit në Beograd, duke u takuar me liderët vendas. Sipas tij, Serbia, e cila ofron futboll cilësor dhe ka potencial të madh për përmirësim në arenën ndërkombëtare, së shpejti mund të organizojë një turne të rëndësishëm nën kujdesin e UEFA-s.

Presidenti Vuçiç e vuri theksin në vrullin e investimit të shtetit serb në futbollin në tërësi dhe veçanërisht në ndërtimin e stadiumeve në të gjithë Serbinë dhe shtoi se aktualisht po ndërtohen stadiume të mira në Leskovc, Zajeçar, Loznicë dhe qytete të tjera.

Kreu i vendit shpjegoi se në Surçin planifikon të ndërtojë një stadium kombëtar në përputhje me standardet më të larta të UEFA-s, i cili do ta bëjë Serbinë një nga ato vende që mund të organizojë evente të mëdha futbolli, siç është finalja e Champions League./Sportiim.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!