Tirana vendos rregull në Laç, Kukësi pa gola në Ballsh
Abissnet Superiore, Java 16:
Laçi – Tirana 1-2 (Shkurtaj 2’/ Lulaj 45+4′, Hasani 47′)
Bylis – Kukësi 0-0
Abissnet Superiore ka luajtur 2 sfidat e para të vitit 2023 të vlefshme për javën e 16-të. Tirana e ka nisur me fitore ndërsa në barazim pa gola u mbyll gjithçka në “Adush Muça”.
Sa i përket sfidës në Laç, vendasit e nisën vrullshëm duke gjetur dhe golin me Shkurtajn që në minutën e dytë. Bardhezinjtë mundën të ruanin avantazhin deri në minutën e katërt të shtesës së pjesës së parë, ku Tirana riktheu baraspeshën falë golit të Lulajt.
Gjatë pjesës së dytë kurbinasit u panë të shpërqendruar dhe kaq mjaftoi që Hasani të përmbyste rezultatin me një gol mjaft të bukur që i dhuroi bardhebluve 3 pikë të rëndësishme në luftën për kreun.
Sakaq, në Ballsh nuk u panë gola edhe pse rastet nuk munguan për të dyja ekipet. Përveç barazimit në shifra, ballshiotët dhe verilindorët barazuan edhe numrin e kartonëve të kuq në këtë sfidë. Qoshku dhe Barbosa lanë skuadrat e tyre me nga 10 lojtarë në përfundim të ndeshjes.
Pas këtij barazimi, Kukësi mbetet në vend të parafundit me 16 pikë, ndërsa Bylis gjendet 1 vend më lart me 1 pikë më shumë.