Real nuk kalon në transfertë, Inter ndalet nga Monza

Vijon të marrë fitore të vyera Juve dhe kap vendin e dytë. Kieza; Dedikimi për Vialin e ndarë nga jeta dje.
Përgatiti: Sara Gjidiaj
Fundjava ka rikthyer garën në disa prej kampionateve kryesore në Europë. Seria A dhe La Liga kanë zbritur në fushë me përballje interesante dhe rezultate surprizë.
Java e 17-të e kampionatit italian ka nisur me fitoren e Fiorentinës ndaj Sasuolos në shifrat e ngushtë 2-1. Me vështirësi edhe Juventus ia doli të kalojë Udinezen falë golit të Danilos që erdhi 4 minuta nga fundi i kohës së rregullt.
Në mbrëmje, Monza befasoi Interin duke i marrë barazimin në minutat shtesë. Ishte Kaldirola ai që ktheu dhe njëherë shifrat në baraspeshë me golin e minutës së 90+4′. Zhgënjejnë disi zikaltërit në këtë përballje nga e cila dalin vetëm me 1 pikë dhe me fitoren që iu ikën nga duart.
Sakaq, në Spanjë ai që zhgënjen është Reali i Madridit i cili u ndal nga Vijareal duke u mposhtur në shifrat 2-1. Benzema barazoi golin e Pinos me anë të penalltisë por ishte sërish një 11-metërsh që ndryshoi shifrat për t’i rikthyer në favor të Vijareal që doli me 3 pikë nga kjo sfidë.
Në dy përballjet e tjera, Majorka e Muriqit siguroi një fitore në frymën e fundit ndaj Real Vajadolid, ndërsa Espanjol – Xhirona u mbyll në shifrat 2-2.
Rezultatet:
Serie A:
Fiorentina – Sasuolo 2-1
Juventus – Udineze 1-0
Monza – Inter 2-2
La Liga:
Vijareal – Real Madrid 2-1
Majorka – Real Vajadolid 1-0
Espanjol – Xhirona 2-2