Kurë pozitive te Laçi e Teuta, Mezani e Martini nisin me fitore
Abissnet Superiore, Java 13:
Bylis – Laçi 0-1 (Akiniemi 40′)
Kukësi – Teuta 0-1 (L. Vila 61′)
Ka nisur sot java e 13-të e Superligës Shqiptare dhe dy sfidat e para të saj u mbyllën me triumfin e skuadrave udhëtuese, Laçit dhe Teutës, në shifrat 0-1. Ndërkohë edhe trajnerët Mezani e Martini rikthehen me fitore në pankinat e skuadrave respektive, ndërsa minutat shtesë në dy sfidat u ngjajnë atyre të Botërorit.
Kurbinasit mposhtën minimalisht Bylisin në “Adush Muça” të Ballshit. Mjaftoi goli i Adeleke Akiniemit në minutën e 40′-të që bardhezinjtë të siguronin 3 pikë të rëndësishme përballë ballshiotëve që zhgënjejnë sërish.
Pas shënimit të golit, miqtë ranë disi në hije ndërsa vendasit intensifikuan sulmet por edhe shpërdoruan shumë duke mos gjetur dot të paktën golin e barazimit. Kështu sfida u mbyll me shifrat 0-1 në favor të bardhezinjve.
Sakaq në përballjen e luajtur në Kukës, fraksioni i parë i takimit u mbyll pa gola me vendasit që krijuan më shumë raste të pastra në zonën e durrsakëve. Ndërsa në të dytën Lorenco Vila ishte heroi i skuadrës së Edi Martinit që merr fitoren e dytë të këtij sezoni, por nuk i ndahet vendit të fundit në klasifikim./Sara Gjidiaj/