Spanja, ‘Furia e Kuqe’ namin në fushë, Belgjika vuan me Kanadanë

Botërori 2022, Grupi E:
Spanjë – Kosta Rika 7-0
Botërori 2022 për Spanjën ka nisur në mënyrën më të mirë. Spanjollët triumfuan me “një thes” golash ndaj Kosta Rikës duke i shkaktuar një humbje turpëruese këtyre të fundit në shifrat 7-0.
Që në minutën e 11′-të spanjollët kaluan në avantazh me Olmon falë dhe lojës së bukur që po zhvillonin. 10 minuta më pas dyfishon Asensio duke e kthyer sfidën në një spektakël golash që vijon me penalltinë e ekzekutuar saktë nga Torres. Kaq për pjesën e parë, pasi për të dytën Spanja ka rezervuar akoma.
Goli i Ferran Torres mbylli fraksionin e parë dhe po ai e hapi të dytin për të vijuar me Gavin që shënoi të pestin. Ndjek Soler teksa “buqetën” e golave e mbylli Morata për të vulosur fitoren e Spanjës në këtë debutim për këtë edicion të 22-të të Botërorit.
Një ndeshje e cila u kthye në seancë stërvitore për spanjollët. Ata u “argëtuan” përballë Kosta Rikës duke u karikuar edhe për sfidën e ardhshme ndaj Gjermanisë që pritet të jetë mjaft interesante sa i përket llogarive të Grupit E.

Botërori 2022, Grupi F:
Belgjikë – Kanada 1-0
Magjia e ‘Katar 2022’ vijon. Emocione të bukura dhuroi në mbrëmje sfida Belgjikë – Kanada ku belgët triumfuan minimalisht 1-0.
Për kanadezët nisja ishte më e vrullshme por jo ashtu si duhej pasi një 11-metërsh të akorduar në minutën e 11′-të e shpërdoruan. Kurtua grushtoi si duhet topin e goditur nga Dejvis duke mbajtur portën të paprekur.
Sakaq, me minutat që kalojnë belgët zgjohen disi dhe goli vjen në fundin e pjesës së parë. Minuta e 44′-të sjell shpërthimin e Batshuaj që realizon për Belgjikën duke i dhuruar gëzimin e fitores skuadrës së tij.
E kënaqur me rezultatin, Belgjika administron si duhet avantazhin edhe gjatë 45-minutëshit tjetër duke debutuar në ‘Katar 2022’ me 3 pikë dhe duke marrë kryesimin e Grupit F./Sara Gidiaj -Sportiim.al/