Bie Gjermania
Botërori 2022
Grupi E:
Gjermani – Japoni 1-2 (Gyndoan 33′ (p), Doan 75′, Asano 83′)
Japonia bën përmbysjen e “çmendur” ndaj Gjermanisë në Grupin E. Gjithçka brenda 8 minutash për të ndryshuar rrjedhën e sfidës.
Skuadrat zhvilluan një lojë thuajse të barabartë ku rastet nuk munguan në të dyja krahët. Gjermanët më të qartë në pjesën e parë arritën të fitonin dhe një penallti të cilën Gyndoan e ktheu në gol.
Këmbëngulja e Gjermanisë vazhdon dhe në fund të pjesës së parë është Havertz që dyfishon por anësori e sheh mjaft mirë pozicionin jashtë loje të sulmuesit dhe goli anulohet.
Në 45-minutëshin tjetër, një “tablo” ndryshe për Japoninë që shfaqet më kërkuese dhe që administron më mirë lojën dhe pse goli i barazimit do të vonojë disi. Doan në minutën e 75′-të kthen balancën në shifra dhe nxit akoma më shumë japonezët për të kërkuar golin tjetër.
Është Asano ai që pas pak minutash do të ndryshojë gjithçka duke i dhënë avantazhin përfundimtar Japonisë dhe duke bërë surprizën e radhës në ‘Katar 2022’.
Për gjermanët një nisje aspak e mirë ku vështirësitë për të shënuar ishin të dukshme ndërsa Japonia u shfaq me grintë, dëshirë dhe më e vendosur për të marrë 3-pikëshin.