Eliminatoret U17 për femra/ Shqipëria, fiton me goleadë me Moldavinë
Janë luajtur këtë të premte ndeshjet e dyta të Grupit B në Eliminatoret e Kampionatit Europian U-17 për vajza, që zhvillohen në Shqipëri. Kombëtarja shqiptare U-17 femra u ndesh me Moldavinë në sfidën e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”, duke triumfuar me rezultatin 9-1.
Trajneri i përfaqësueses kuqezi, Agustin Kola e nisi ndeshjen me këtë formacion: Mone, Ndoci, Disha, Vasa, Bushati, Brahaj, Ago, Methoxha, Ndoj, Nika dhe Hasaj.
Vajzat kuqezi tregojnë që në start superioritetin e tyre dhe e spostojnë menjëherë lojën në fushën kundërshtare, duke iua afruar disa herë golit. Në minutën e 10-të Rosela Vasa godet portën me topin që nuk kontrollohet siç duhet nga portierja Chiciuc dhe përfundon në rrjetë. 1-0 për Shqipërinë që vetëm një minutë më pas gjen edhe golin e 2-0, kur Klesta Ago finalizon saktësisht në zonën e vogël pas një krosimi nga e majta, duke e depozituar topin në rrjetë. 20 minutat e paratë ndeshjes janë mjaft intensive teksa në një kundërsulm Moldavia gjen golin me Nichifor, e cila në minutën e 18-të finalizon saktë me një gjuajtje diagonale pas një aksioni individual në të djathtë, duke ngushtuar shifrat në 2-1. Megjithatë, vajzat kuqezi nuk dekurajohen dhe vetëm dy minuta më vonë gjejnë golin e tretë me anë të Xhesika Ndojit, që zotëron bukur një top në hyrje të zonës dhe mposht portieren moldave.
Në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, Shqipëria gjen edhe golin e katërt pas një goditje këndi me topin që përplaste në traversë dhe aty Vasa përfiton duke shënuar me një gjuajtje me kokë.
Pjesa e dytë nis sërish me Shqipërinë që sulmon në vazhdimësi dhe i afrohet sërish golit. Trajneri Kola hedh në fushë Laura Barin, e cila zëvendëson Bora Bushatin. Në minutën e 58-të është sërish Ago që pas një depërtimi driblon edhe portieren për të shënuar golin e pestë të Shqipërisë de të dytin personal. Sërish Ago në minutën e 64-t finalizon një aksion të rrjedhshëm, me një gjuajtje në hyrje të zonës me topin që përfundon në rrjetë pas grushtimit të pafat të portieres. Ndërkohë në fushën e lojës kanë hyrë dhe Ndoci e Likollari, për të freskuar forcat në fushë./FSHF/