Ndalet Tirana por jo Xhixha, paqe në Durrës
Abissnet Superiore, Java 7:
Tirana – Laçi 3-3 (Xhixha 23′, 36′, 73’/ Mazrekaj 22′, 89′, Borisjuk 63′)
Erzeni – Egnatia 0-0
Redon Xhixha merr topin e dytë sezonal në shtëpi, kap kuotën e 10 golave.
Ndeshja mes Tiranës dhe Laçit e vlefshme për javën e 7-të të Abissnet Superiore dhuroi emocione dhe plot 6 gola. Një rezultat i paparashikueshëm deri në sekondën e fundit kur gjithçka u mbyll në barazim.
Bardheblutë po administronin lojën, por kurbinasit kaluan në avantazh të parët. Topi i Akiniemit adresuar Mazrekajt u finalizua si duhet nga ky i fundit duke përfunduar në rrjetën e portierit Bekaj.
Nuk kalon një minutë dhe Xhixha merr frenat e lojës duke barazuar fillimisht me topin e ngritur mbi portierin e bardhezinjve, ndërsa më pas përmbys rezultatin me një gjuajtje direkte nga jashtë zonës.
Me nisjen e pjesës së dytë, Laçi shfaqet më shumë në gjysmëfushën e bardhebluve, teksa kurbinasit fitojnë një penallti me anë të Ujkës dhe rikthejnë baraspeshën me gjuajtjen e saktë të Borisjuk.
Pak minuta më pas është sërish ai, Redon Xhixha, që topin e Nikqit nuk mendohet 2 herë për ta dërguar në portën e mbrojtur nga Dajsinani duke shfaqur për të tretën herë problematikat e prapavijës së miqve.
Do të ishte fatale për Laçin edhe një humbje tjetër dhe për këtë mendon Mazrekaj. Në limite të kohës së rregullt, kapiteni shënon gol në mënyrën tipike të tij duke surprizuar dhe portierin Bekaj. Kështu, Laçi ndal vrullin e Tiranës dhe rikthehet të marrë pikë në kampionat.
Sakaq, sfida tjetër mes Erzenit dhe Egnatias e luajtur në “Niko Diovana” paralelisht, u mbyll me rrjeta të paprekura me skuadrat që ndajnë nga 1 pikë në këtë javë të 7-të./Sara Gjidiaj/