Inagurohet aneksi në ‘Roza Haxhiu’, Duka: Prioriteti ynë, fëmijët

Premtimet tashmë po bëhen një e nga një realitet! Lushnja ka një tjetër fushë të re stërvitore, një investim i Federatës Shqiptare të Futbollit në bashkëpunim me Bashkinë e Lushnjes që po ndryshon tërësisht infrastrukturën e këtij qyteti dhe i jep mundësi të gjithë të rinjve të luajnë futboll.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, së bashku me anëtaren e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, deputetin e qarkut të Fierit, Taulant Balla e kryetaren e Bashkisë së Lushnjes, Eriselda Sefa inaguruan një nga anekset e kompleksit ‘Roza Haxhiu’, teksa kjo është fusha e dytë e ndërtuar brenda pak muajsh, pas asaj të Plugut. Puna po vijon me ritme të shpejta edhe për fushën e stadiumit ‘Roza Haxhiu’ si dhe dy fushat e tjera stërvitore.
Me inagurimin e kësaj fushe, u shpërndanë edhe uniformat e para falas për fëmijët e qytetit të Lushnjes që luajnë futboll, e që përfitojnë kësisoj nga projekti madhor i Federatës Shqiptare të Futbollit “Uniforma ime”, teksa shpërndarja do të vijojë edhe këto ditë.
Në fjalën e tij të shkurtër, numri një i futbollit shqiptar tha se për të pasur ekipe garuese e cilësore duhet që të hidhen sytë nga futbollistët e vegjël, e për këtë arsye prioriteti kryesor i FSHF-së është futbolli i fëmijëve dhe i vajzave.
‘Jemi në Lushnje për të inaguruar këtë fushë të re dhe për të filluar shpërndarjen e uniformave për të gjithë fëmijët që luajnë futboll jo vetëm në Lushnje, por në të gjithë qarkun e Fierit. Të kesh ekipe garuese, ekipe kualitative, ekipe kombëtare duhet që të hedhim sytë te fëmijët dhe pikërisht për këtë futbolli për fëmijët dhe kryesisht për vajzat është prioritet i Federatës Shqiptare të Futbollit’ – tha Presidenti Armand Duka./marrë nga FSHF/