Bylis, ‘kala’ në Mallakaster
Abissnet Superiore, Java 6:
Bylis – Erzeni 4-1 (Lajthia 9′, Kaçorri 23′, Beji 57′, F. Souza 90′ /O. Souza 71′)
Java e 6-të e Abissnet Superiore solli dhe humbjen e parë për Erzenin. Ishte Bylisi skuadra që i shënoi për të parën herë në kampionat shijakasve duke gjetur 4 herë rrjetën e Xhikës dhe duke nxjerrë në pah mjaft problematika në mbrojtjen e Erzenit që konsiderohej një nga më të konsoliduarat.
Në “Adush Muça” vendasit dominuan gjatë 90 minutave duke krijuar disa raste në zonën e Erzenit derisa zhbllokuan sfidën në minutën e 9′-të me golin e Lajthias.
Dyfishimi i rezultatit vjen në minutën e 23′-të me Kaçorrin që realizon pas rrëmujës së krijuar në zonë, teksa ballshiotët vulosin fitoren me Bejin në pjesën e dytë. Ky i fundit përfiton nga largimi jo i mirë i Xhikës për të dërguar topin në rrjetë.
Erzeni shënon golin e nderit gjatë 20 minutave të fundit me De Souza që krejtësisht i pashqetësuar në zonë gjuan me kokë dhe realizon për shijakasit.
Qershia mbi tortë ishte goli i një tjetër Souza, kësaj here në radhët e Bylisit. Me një gjuajtje mjaft të bukur nga distanca, braziliani arriti të mposhte portierin Xhika duke e çuar në 4 numrin e golave të pësuar nga shijakasit.
Me këtë humbje Erzeni zbret një pozicion më poshtë duke i liruar vendin e dytë skuadrës së Bylisit, e cila duket se e riktheu me këmbë në tokë./Sara Gjidiaj/