Shqipëria nuk di të ngrihet, Uzuni po
Shqipëria nuk di të ngrihet, Uzuni po
Tjetër humbje zhgënjyese për Shqipërinë në Nations League. Izraeli feston kalimin në Ligën A, kuqezinjtë shuajnë ëndrrat.
Një pjesë e parë me ritëm e me raste nga të dyja frontet, por e mbyllur me rrjeta të paprekura. Disi më insistues Izraeli dhe më dominues në mbajtjen e topit, ndërsa Shqipëria “qan” 2 rastet e humbura nga Broja. Sulmuesi kuqezi pati 2 mundësi të arta shënimi por nuk ia doli të finalizonte në momentin e fundit.
45-minutat e dyta nisin me gol. Vaisman përfiton në maksimum nga pasiguria e Hysajt në mbrojtje duke lënë një top në këmbët e vendasëve ndërsa sulmuesi e dërgon në rrjetë kur luhej e 46’ta. Pas pësimit të golit, duhen minuta që Shqipëria të kalojë atë goditje dhe të rikthehet të sulmojë. Rasti më i mirë ishte për Ramadanin por Glazer bëri heroin duke shpëtuar Izraelin nga pësimi i golit të barazimit.
E nëse Glazer arriti të ndalte Ramadanin, predha e Uzunit në minutën e 88′-të ishte e paarritshme për portierin izraelit. Vetëm pak minuta në fushën e lojës iu deshën sulmuesit beratas të shënonte një supergol për të barazuar shifrat e për të kthyer shpresat e fitores te kuqezinjtë.
Por e kundërta ndodh pasi në momentin më të mirë Shqipëria pëson sërish nga një gabim në mbrojtje. Mihaj “dhuron” golin e kualifikimit për Izraelin duke mbyllur përdundimisht çështjen e kreut të Grupit 2 të Ligës B.
Humbje pësoi edhe kombëtarja e Kosovës me përmbysje nga Irlanda e Veriut. Goli i Muriqit nuk mjaftoi për t’i dhënë 3 pikë skuadrës së Alan Zhires.
Sakaq në ndeshjet e tjera të Nations League, Portugalia mposhti Çekinë, ndërsa Zvicra surprizoi Spanjën duke e mundur në shtëpi. Vendi i parë në Grupin 2 të Ligës A diskutohet pikërisht mes Portugalisë dhe Spanjës në ndeshjen “finale”. Fiton edhe Serbia ndaj Suedisë, teksa Qipro surprizon Greqinë duke i martë një fitore në shifrat 1-0.
Rezultatet:
Liga A, Grupi 2:
Republikë Çeke – Portugali 0-4
Spanjë – Zvicër 1-2
Liga B, Grupi 1:
Armeni – Ukrainë 0-5
Skoci – Irlandë 2-1
Grupi 2:
Izrael – Shqipëri 2-1
Liga B , Grupi 4:
Slloveni – Norvegji 2-1
Serbi – Suedi 4-1
Liga C, Grupi 2:
Irlandë e Veriut – Kosovë 2-1
Qipro – Greqi 1-0/Sara Gjidiaj/
