Reja: Me Izraelin është finale, duam tri pikë

Shqipëria do të zhvillojë ditën e nesërme sfidën e parë të muajit shtator ndaj Izraelit në transfertë, në ora 20:45. Pas 5 ditësh grumbullim në Shqipëri, kuqezinjtë kanë mbërritur ditën e sotme në Tel Aviv. Pak minuta më parë, trajneri Reja dhe mbrojtësi Elseid Hysaj kanë folur në konferencën zyrtare për media në prag të kësaj sfide të rëndësishme ku vlejnë vetëm 3 pikët.

Trajneri Edoardo Reja u shpreh se skuadra e tij do të kërkojë të imponohet në lojë, e cila është provuar në javën stërvitore dhe gjithashtu nënvizoi se skuadra ka punuar mirë dhe është gati për të bërë një paraqitje fantastike.

“Unë e njof forcën e Izraelit nga ndeshja e parë, është një skuadër që ka cilësi. Përtej atyre që do të luajnë ose atyre që mungojnë, kushdo që do të luajë do të japë maksimumin sepse edhe Izraeli e di që është një ndeshje e rëndësishme dhe ata do të luajnë për fitore, ashtu si edhe ne që kemi ardhur për fitore. Duhet të shikojmë kush do të arrijë të jetë më i zoti në fushën e lojës dhe kush do të ketë mentalitetin e duhur, mbi të gjitha do të shohim se kush ka më shumë dëshirë për ta fituar këtë ndeshje. Mungesat nuk kanë rëndësi, këto jemi tani, si ne ashtu edhe Izraeli. Do ta luajmë në fushë dhe uroj që të fitojmë ndaj këtyre rivalëve.

Rëndësia e ndeshjes? E dimë shumë mirë që kjo është një finale për ne, ata kanë 5 pikë dhe ne kemi 1 pikë. Nuk na mbetet gjë tjetër veҫse fitores për të shpresuar të arrijmë te vendi parë. Nuk ka alternativë tjetër veҫ fitores. Atyre mund t’i mjaftoj edhe një pikë duke parë që kanë 5 pikë dhe me 6 janë të parët në klasifikim. Nuk i arrin dot asnjë. Ne ndërkohë do të kërkojmë të bëjmë ndeshjen tonë. Të gjithë lojtarët që do të zbresin në fushë do të japin maksimumin e tyre. E dimë të gjithë që ҫdo ndeshje ka episodet e veta që njëherë shkojnë në njërën anë dhe njëherë në anën tjetër. Ne do të kërkojmë që episodet këtë herë të kalojnë vetëm në anën tonë dhe të na japin të drejtë. Ne duhet të bëjmë një paraqitje fantastike. E dimë që do të luajmë me një presion shumë të madh sepse stadiumi do të jetë i mbushur i gjithi. Lojtarët dhe tifozët izraelit kanë ritëm shumë të lartë nga ajo që kam parë në ndeshjet e tyre. Në këtë këndvështrim duhet të jemi shumë të përgatitur. Nuk duhet ti japim atyre hapësira sepse janë shumë të zotët në kundërsulm. Në anën tjetër duhet të them se do të kërkojmë të imponojmë lojën tonë. Kemi punuar shumë mirë gjatë javës. Kemi pasur shumë vëmëndje në aspektin taktik. Unë jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje të shkëlqyer.

Rëndësi në të tilla ndeshje ka shpirti me të cilin zbret në fushën e lojës, gjëndja fizike dhe ajo mendore. E njohim dhe e kujtojmë mirë Solomon që mungon te Izraeli, por ata përpara kanë shumë alternativa cilësore. Përtej atyre që mungojnë ata kanë cilësi të mira në përbërje, ashtu siҫ kemi edhe ne. Edhe herë të tjera kur kemi pasur mungesa të rëndësishme kemi bërë paraqitje shumë të mira. Nuk ka shumë vend për të bërë diskutime. Duhet të zbresim në fushën e lojës dhe të luajmë ashtu sic duhet. Me përqendrim maksimal, me bindje maksimale, të na respektojmë për atë që jemi dhe të tregojmë personalitet. Nëse vendosim në fushë këto karakteristika, që kur i kemi treguar, kemi marrë dhe rezultate të rëndësishme. Nesër pres këtë nga skuadra ime.

Si e pret Izraelin nesër? Ne e dimë shumë mirë sesi luajnë, e dimë gjithashtu shumë mirë sesi do të përballemi me ta. Nga ana teorike e kemi përgatitur në mënyrën tonë, por ju e dini mirë se duhet parë se ҫ’farë ndodh në fushën e lojës. Gjatë ndeshjes mund edhe të ndryshosh diҫka nëse gjërat nuk shkojnë mirë. Varet gjithҫka nga rezultati dhe ajo që ndodh në fushën e lojës. Vlen shumë edhe leximi që i bëjnë ndeshjes lojtarët, sepse lojtarët kur zbresin në fushën e lojës duhet të kuptojnë ku është rreziku dhe aty duhet të tregojnë kujdes, sidomos në fillim të ndeshjes. E rëndësishme është të mos shkosh në disavantazh. Në fillim të ndeshjes duhet të jemi shumë të kujdeshëm, duke bërë lëvizjet e duhura dhe nëse krijohet mundësia e duhur në rinisje duhet të shfrytëzojmë mundësitë. Ndeshje të tjera kemi krijuar disa raste të mira në pjesën sulmuese por nuk i kemi finalizuar siҫ duhet. Këtë herë duhet të jemi shumë të saktë dhe konkret. Kjo është ndeshja decisive dhe duhet të bëjmë sa më pak gabime të jetë e mundur, si në aspektin mbrojtës ashtu edhe në atë sulmues. Kështu e kemi përgatitur, e dinë lojtarët e dinë ne. Unë jam i sigurtë që të gjithë do të japin 100% nesër”, përfundoi fjalën e tij trajneri Reja.

Mbrojtësi kuqezi, teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve shqiptarë dhe atyre të huaj theksoi se skuadra e di rëndësinë e kësaj ndeshje, por kuqezinjtë kanë udhëtuar drejt Izraelit vetëm për të marrë tre pikët. Hysaj tha se vetëm përmes kalimit me sukses të kësaj ndeshje mund të shkojnë te ndeshja tjetër, teksa foli edhe për përshtatjen e lojtarëve nëse trajneri ndryshon skemën. Ndër të tjera ai foli edhe për mungesat që ka Kombëtarja në këto dy ndeshje, por u shpreh se edhe në raste të tjera të rëndësishme, skuadra ka pasur mungesa, por Shqipëria ka ecur përpara si grup e si tillë do vijojë të ecë.

Kthesa jonë ndaj Izraelit? – Kemi ardhur këtu për të bërë një ndeshje të mirë dhe për të kërkuar pikët sepse po dolëm pa pikë në këtë ndeshje, do të jetë e vështirë për të arritur objektivin tonë. Kështu që e gjithë skuadra kemi ardhur të përgatitur për të marrë pikë dhe e dimë që është një ndeshje e rëndësishme dhe për këtë jemi gati.

A mund të përshtatemi nëse ndryshon skema? – Të gjithë jemi aq të rritur dhe profesionistë sa që nëse do trajneri të ndryshojë pozicionimin në fushë duhet të jemi gati ta bëjmë dhe atë që kërkon trajneri. Varet, nëse nuk i pëlqen në lojë, mund ta ndryshojë sërish në skemën që luajmë gjithnjë, por nuk i dihet. Kjo do jetë një zgjidhje e trajnerit dhe ne jemi aq profesionistë sa të japim maksimumin tonë në fushë dhe të luajmë lojën si do trajneri.

Dëmtimet dhe rëndësia e ndeshjes – Duhet ta kuptojmë që është një ndeshje e rëndësishme dhe të gjithë çunat e dinë. Duhet të kalojmë nga kjo ndeshje për të shkuar te tjetra dhe për të menduar kualifikimin në grup. Duhet të jemi 100% të përqëndruar në grup dhe pastaj të mendojmë për ndeshjen e radhës. Siç kemi bërë gjithmonë, kemi bërë edhe mirë në ndeshje të rëndësishme pavarësisht dëmtimeve, pasi kemi pasur dëmtime të mëdha, por besoj se të gjithë që kanë ardhur në këtë grumbullim do të japë maksimumin e tij.

A na kanë dëmtuar mungesat? – Sigurisht që mungesat mund të japin ndonjë problem, por siç ka ndodhur edhe më parë me Kombëtaren që kemi pasur mungesa, dhe të gjithë lojtarët e tjerë që janë futur në lojë kanë bërë maksimumin e tyre dhe kemi bërë ndeshje të mira, duke e ndihmuar skuadrën. Ne jemi një ekip që kemi ecur përpara si grup dhe do ecim si grup. Nuk kemi një lojtar që na bën ta humbasim apo ta fitojmë ndeshjen. Duhet të jemi të përqëndruar. Kemi kualitet, si përpara si mbrapa, për të bërë më shumë, për të bërë rezultat dhe ta mbrojmë rezultatin. Vlerat tona i dimë dhe shpresoj që nesër t’i tregojmë.

A ka Izraeli më shumë presion se ne? – Nuk është vetëm për Izraelin, besoj se është edhe për ne sepse edhe neve na duhet fitorja dhe do jetë i njëjti presion në fushë. Kush është më i miri, të shfrytëzojë momentin, të shfrytëzojë mundësitë që do kemi në fushë. Nuk është se ne kemi më pak presion se Izraeli.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!