Gega, largimi i dytë nga Kukësi
Ajo që flitej nën zë ngjau sot. Skënder Gega nuk është më trajner i Kukësit. Klubi verilindor ka njoftuar ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Gega pas rezultateve të dobëta në këto 4 javë kampionat.
Ka qenë vetë 58-vjeçari që ka paraqitur dorëheqjen edhe pse ka pasur besimin e presidentit Gjici dhe stafit për të vazhduar më tej në krye të pankinës së Kukësit. Më pas klubi dha lajmin zyrtar…
Kështu, Gega është trajneri i dytë i larguar në këtë start kampionati duke pasuar Reanto Arapin.
“NJOFTIM I KLUBIT!
FK Kukësi njofton ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Skënder Gega. Pas rezultateve të ndeshjeve të para, trajneri Gega ka paraqitur dorëheqjen në klub dhe pavarësisht besimit që i është dhënë nga klubi, trajneri Gega nuk ka bërë kthim pas.
“Falënderoj klubin dhe Presidentin e Nderit, Safet Gjici për mbështetjen dhe besimin. Falënderoj të gjithë bashkëpuntorët që kisha, por besoj se kjo është më e mira në këtë situatë”, u shpreh trajneri Gega.
Klubi i Kukësit e falënderon trajnerin Gega për bashkëpunimin dhe i uron suksese në karrierën e tij.”