“Uniforma Ime” mbërrin dhe në Gjirokastër, Dervishaj: Projekti po ndikon që tani në afrimin e fëmijëve me futbollin

Projekti madhor “Uniforma Ime” ka udhëtuar këtë mesjavë në Gjirokastër, me përfaqësuesit e FSHF-së që kanë prezantuar para fëmijëve dhe prindërve të këtij qyteti përfitimet që do të kenë nga kjo iniciativë e rëndësishme. Duke filluar nga ky sezon të gjithë fëmijët që luajnë futboll në të gjitha nivelet e kampionateve të moshave U-7 e deri te mosha U-19 do të përfitojnë falas një set me bazë materiale.

Të pranishëm në ceremoninë e prezantimit të këtij projekti ishin të pranishëm Zv.Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, përfaqësues të Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër, drejtues akademish, figura të futbollit gjirokastrit, trajnerë, si dhe prindër e fëmijë të vegjël që luajnë futboll.

Në fjalën e tij përpara të pranishmëve, Dervishaj theksoi rëndësinë që ky projekt ka për zhvillimin e futbollit në vendin tonë dhe se fokusi i FSHF-së është te futbolli i fëmijëve. Ai renditi të gjitha projektet që ka ndërmarrë Federata e Futbollit ndër vite, që kanë minimizuar ndjeshëm shpenzimet që kanë familjet shqiptare për fëmijët e tyre që luajnë futboll.

“Në strategjinë që FSHF ka miratuar pak muaj më parë një nga prioritetet kryesore është futbolli i fëmijëve, sepse fëmijët janë e ardhmja e futbollit shqiptar dhe ka pa këta fëmijë ne nuk do të kemi as Kombëtare as ekipe të rriturish. Bazuar në këtë strategji FSHF ka ndërtuar një sërë projektesh për zhvillimin e futbollit të fëmijëve. E kemi nisur me projektin Topi Yt, ku FSHF furnizon të gjitha ekipet kudo në Shqipëri më topa dhe asnjë skuadër apo akademi nuk ka më nevojë të blejnë topa. Kemi vazhduar me projektin e 100 fushave sepse duam që të përmirësojmë infrastrukturën sportive që t’u krijojmë kushte këtyre fëmijëve për të luajtur futboll dhe brenda një periudhe 3-vjeçare ne do të ndërtojmë në të gjithë Shqipërinë 100 fusha futbolli për fëmijët dhe këto do të jenë kryesisht fusha të reja, jo thjesht rikonstruksioni i fushave ekzistuese. Edhe në zonën e Gjirokastrës ne kemi parashikuar ndërtimin e të paktën dy fushave për fëmijët brenda një viti. Më tej, kemi vijuar me projektin për rregullat e lojës, duke përcaktuar se si do të zhvillohen kampionatet dhe nga ana tjetër për të lehtësuar familjet shqiptare me shpenzimet ne kemi bërë mbulimin e të gjitha kostove për arbitra, delegatë dhe zyrtarë ndeshjesh”, – tha Dervishaj

Së fundmi, po lançojmë projektin Uniforma Ime dhe duke filluar që nga shtatori i këtij viti e në vazhdim asnjë fëmijë nuk do të blejë më uniforma. Të gjithë fëmijët që luajnë futboll në Shqipëri, që janë mbi 15 mijë, do të marrin setin e uniformës falas, që përbëhet nga uniforma e lojës, uniforma e stërvitjes, komplet tutash, fëshe shiu së bashku me çantën. E kuptojmë që familjet kanë shpenzime për fëmijët e tyre, që luajnë futboll, dhe ne si FSHF do të mundohemi që këto shpenzime t’i minimizojmë sa më shumë derisa t’i çojmë drejt shifrës zero, qoftë edhe kostot e transportit apo trajningut. Ky është një projekt madhor i FSHF-së, që ka alokuar nga buxheti i vet rreth 1.2 milion dollarë dhe kjo është kostoja fillestare, pasi ne e shohim që po afrohen më shumë fëmijë me futbollin, dhe do të investojmë akoma më shumë në sezonet e ardhshme”, – u shpreh Dervishaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!