Liverpul, hap fals në start

Premier League, java e parë 2022-23/ Fullham – Liverpul 2-2 (Mitroviç 32′, 72′ (Pen) / Nunjez 64′, Sala 81′)

Gola, VAR, penallti, emocione, zhgënjime dhe surpriza; gjithçka mund të dhurojë Premier League u pa në ndeshjen mes Fullham dhe Liverpul e cila u mbyll pa fitues, me skuadrat që ndanë nga një pikë në javën e parë të kampionatit.

Një Liverpul disi ndryshe nga ai që u pa në finalen e para pak ditëve përballë Mançester Sitit. Të kuqtë e Jurgen Klop u shfaqën të përgjumur në lojë, të pasigurt në pasime dhe në prapavijë si dhe pa ide të qarta para portës së kundërshtarëve gjatë pjesës së parë.

Nënkampionët e Anglisë ndëshkohen në minutën e 32′-të nga Mitroviç që nxjerr jashtë loje mbrojtjen e “të kuqve” dhe me kokë dërgon topin në rrjetë.

Reagon ndryshe Liverpul pas minutës së 55′-të. Nunjez i sapofutur në fushë debuton me gol duke barazuar shifrat por jo për shumë kohë pasi një 11-metërsh i akorduar do të kalojë sërish vendasit në avantazh.

Është Sala që nuk lejon “turpërimin” e skuadrës së tij që në ndeshjen e parë. Pas një aksioni të ndërtuar mjaft mirë, egjiptiani finalizon si duhet pa i lënë asnjë mundësi portierit kundërshtar të reagojë.

Për t’u vlerësuar loja e zhvilluar nga skuadra e Fullham. E sapongjitur në Premier League tregon karakter dhe grintë para një skuadre të madhe duke ia vështirësuar deri në fund sfidën. Janë ata që fitojnë një pikë, ndërsa Liverpul humbet dy të tilla që në start të kampionatit./S. Gjidija/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!