Shoqata Rajonale e Futbollit Durrës bën bilancin…

Shoqata Rajonale e Futbollit Durrës ka bërë një analizë dhe bilanc lidhur me edicionin futbollistik 2021-2022 dhe punën e bërë në të gjitha kategoritë e moshave, nga U-7 tek U-17, ekipet e vajzave, kampionati i shkollave 9-vjeçare për vajza dhe kampionati 5×5.

Sekretari i Përgjithshëm i ShRFD, Arbër Kalemi në një intervistë për fshf.org zbulon numrin e ekipeve dhe lojtarëve të angazhuar përgjatë këtij edicioni. Më tej ai tregon se problematikë kryesore vijon të mbetet infrastruktura për shkak edhe të pandemisë dhe tërmetit të tre viteve më parë në Durrës.

Gjithashtu, Kalemi tregon edhe synimet e Shoqatës Rajonale të Durrësit për të ardhmen, ku vëmendja kryesore mbetet te shtimi i numrit të vajzave që luajnë futboll.

– Cilat janë risitë e edicionit që lamë pas në kampionatin rajonal amator të Shoqatës Rajonale Durrës?

– Shoqata Rajonale e Futbollit Durrës ka bërë një punë të madhe gjatë këtij viti. Numri i futbollistëve, djem e vajza sa vjen e shtohet, e rrjedhimisht shtohet edhe puna. Jemi përpjekur që të kemi kampionate më të konsoliduara moshash, me ekipe dhe lojtarë dhe besoj se e kemi arritur. Ky është sezoni i katërt që zhvillojmë kampionatin rajonal për vajza, një arritje për ne, pasi siç dihet, futbolli i vajzave është një nga priorietet kryesore të FSHF-së. Gjithashtu, është shtuar numri i ekipeve në kampionatin 5×5. Këtë edicion në Durrës kanë garuar 16 ekipe në total, një shifër mjaft e mirë, ndërsa vëmendje të veçantë i kemi kushtuar edhe zhvillimit të projektit Playmaker.

– A mund të na përmendni disa nga problematikat kryesore të këtij edicioni?

– Problemi kryesor që kemi hasur dhe kemi është infrastruktura sportive. Mungesa e fushave ku fëmijët të stërviten normalisht, pasi siç dihet, gjatë dimrit kur ka shumë reshje shiu, bëhet e pamundur realizimi i stërvitjeve dhe ndeshjeve. Gjithsesi, ne jemi përpjekur mos t’i lëmë fëmijët “rrugëve”, por të gjejmë mundësi, edhe pse jo gjithmonë është e lehtë. Projekti i 100 fushave duhet të vihet në plan të parë me patjetër, jo vetëm nga FSHF, por edhe nga institucionet shtetërore.

– Sipas jush, a u arritën objektivat, në aspektin e rritjes së pjesëmarrjes? Numri i pjesëmarrësve ka qenë i kënaqshëm krahasuar edhe me edicionin e shkuar?

– Objektivat janë të kënaqshëm, duke pasur parasysh se Durrësi është një nga qytetet që realisht ka nevojë për një vëmendje më të shtuar. Pandemia dhe tërmeti i vitit 2019 ka prishur paksa ekuilibrat, megjithatë vetëm gjatë këtij sezoni numërojmë 1530 djem e vajza që janë regjistruar në lojën e bukur të futbollit. Janë 105 ekipe në total nga mosha U-7 në moshën U-17, me 1145 lojtarë në total. Janë 14 ekipe vajzash, të cilat morën pjesë në kampionatin rajonal dhe kampionatin e shkollave, 191 vajza. Dhe 16 ekipe djemsh që morën pjesë në kampionatin e futbollit 5×5, në total 192 lojtarë. Pavarësisht vështirësive, shifrat tregojnë se objektivat janë arritur dhe ne presim që edicionin e radhës, edhe me projektin “Uniforma ime” të rritet ky numër futbollistësh.

– Cilat janë risitë për edicionin e ardhshëm? Cilat janë synimet kryesore?

– Siç e thashë edhe më sipër, presim që të rritet numri i futbollistëve djem e vajza dhe jam besimplotë që do ta arrijmë këtë. Projekti “Uniforma ime” pa dyshim që i afron fëmijët me futbollin. Mbështetje mjaft e madhe edhe për prindërit, të cilët nuk do të kenë nevojë të paguajnë për uniforma stërvitje, uniformë lojë, fëshe stërvitje, komplet tutash e çantë për fëmijët e tyre. Ky është vërtetë një nga projektet më të veçanta të FSHF-së.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!