Tomorri: Tirana dhe Partizani në ‘Air Albania’

Stadiumi shqiptare “Air Albania” dhe “Elbasan Arena” po bëhen gati të presin tre ndeshjet e klubeve shqiptare në kupa e Europës në muajin korrik. Sfida jo të vështira tashmë për FSHF-në, klubet shqiptare dhe vetë vendin tonë, që janë mësuar të organizojnë me sukses të tilla aktivitete të niveleve të larta, që kulmuan me finalen e UEFA Conference League më 25 maj në stadiumin “Air Albania”.

Ky i fundit do të mirëpresë më 12 korrik ndeshjen e kthimit që Tirana do të zhvillojë ndaj Dudelanzhit, e vlefshme për turin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ndërsa edhe Partizani do të luajë dy ditë më pas sfidën e kthimit ndaj Saburtalo, e vlefshme për turin e parë të Europa Conference League. Kejdi Tomorri, drejtori i Departamentit të Shërbimeve dhe Administrimit të Qendrave Sportive, në një intervistë për Fshf.org tregon se gjendja e stadiumit “Air Albania” është e mirë dhe shpjegon edhe problemet me barin e fushës.

“Gjendja e stadiumit është relativisht e mirë. Jemi duke u sforcuar pak në mbajtjen e barit, duke qenë se ishte planifikuar që stadiumi të kishte këtë lloj bari deri për finalen e Conference League, por edhe pak më pas për ndeshjet e ekipit kombëtar dhe duke qenë se është një lloj bari vetëm për periudhën e dimrit, jemi duke “e vuajtur” pak për ta mbajtur në formën më të mirë të mundur për dy ndeshjet që do të vijnë me datë 12 kur do të luajë ekipi i Tiranës dhe 14 ekipi i Partizanit”, – thotë Tomorri për fshf.org, ndërsa flet edhe për gjendjen e stadiumit “Elbasan Arena”, ku do të luajë ekipi tjetër që është kualifikuar në kompeticionet europiane, ekipi i Laçit.

“Edhe në stadiumin “Elbasan Arena” gjendja është optimale. Prej shumë kohësh aty kemi një fushë shumë të mirë, por edhe pjesa tjetër e infrastrukturës së stadiumit është shumë mirë për të mirëpritur ndeshjen që do të luajë Laçi”, – tregon Kejdi Tomorri./FSHF/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!