Zgjedhjet e reja në FIFA, Azia pro Infantinos
Në fillim të vitit 2023 do të zgjidhet presidenti i ri i FIFA-s dhe rizgjedhja e Xhani Infantino është e mundshme.
Numri 1 aktual i federatës më të madhe futbolistike në planet veç të tjerave mbështetet nga AFC, konfederata aziatike.
“Ne i jemi përjetësisht mirënjohës atij për mbështetjen që na ka dhënë. Një rizgjedhje e Infantinos nga ana AFC do të ishte e mirëseardhur”, tha kreu i federatës aziatike AFC, Salman bin Ebrahim Al Khalifa i cili në kongresin e 32-të të konferedarës aziatike ndër të tjera tha:
“Familja e futbollit aziatik është përgjithmonë mirënjohëse ndaj Presidentit Infantino për mbështetjen dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm për zhvillimin e lojës në kontinentin tonë. Ne jemi inkurajuar nga udhëheqja e ofruar nga Presidenti Infantino gjatë pandemisë COVID-19, jo vetëm për futbollin aziatik, por edhe për futbollin botëror.
Familja e futbollit aziatik mirëpret ngrohtësisht nominimin e Presidentit Infantino për rizgjedhje, unë mund ta siguroj atë sot se ne do të jemi të bashkuar pas nominimit të tij. Është bërë shumë dhe ka ende shumë për të bërë. Së bashku do të vazhdojmë të punojmë për ta transformuar futbollin aziatik dhe për ta çuar në nivele më të larta”, janë fjalët e presidentit të AFC-së në kongresin e 32-të të konfederatës aziatike.
Ndërkaq, 52 vjeçari, italo-zvicerian figuron president i FIFA-s që nga shkurti 2016 dhe u rizgjodh për një mandat të dytë në 2019.