Axhenda/ Laçi pret Kastriotin, Flamurtari rikthehet në një finale
Humbja e Partizanit ‘ndihmon’ bardhezinjtë të cilët me një pikë sot kapin matematikisht Conference League. Formula ndërthurur edhe nga finalja e Kupës me Vllazninë.
Në Shqipëri pas derbit të luajtur dje Partizani- Tirana (1-2 në Elbasan) sot për javën e 33 Abissnet Superiore, zhvillohet vetëm takimi Laçi- Kastrioti (16:45).
Ky derbi rajonal vjen në një moment qetësie pasi fitimi i titullit nga Tirana të shtunën, me gjasë, ul ndjeshëm presionin te bardhezinjtë të cilët ndjekin prej shumë javësh kreun. Humbja e Partizanit ka bërë që kurbinasit me një pikë sot në shtëpi ndaj krutanëve të sigurojnë për herë të nëntë një biletë europiane.
Edhe Kastrioti teksa u mund javën e kaluar në Korçë me shumë mundësi nuk e pretendon më zonën europiane. Madje në kushtet e reja, trajneri Çela ka deklaruar se te Kastrioti është momenti i aktivizimit të lojtarëve me më pak minuta.
Po sot në nivele inferiore, finalja e titullit kampion në Kategori të Dytë ndërmjet Flamurtarit dhe Luzi 2008 (15:00 në ‘Selman Stërmasi’)
Më tej ndeshjat play off: 15:00, Oriku- Veleçiku (në Cerrik) Devolli- Labëria (në Librazhd)
Kategori e Dytë, play out: 15:00, Ada Velipojë- Gramozi Ersekë (Kamëz Kompleksi QKS)/Sportiim.al/