Shehu: Derbi një trofe për tu fituar
Bardheblutë presin të festojnë titullin e 26-të kampion ndaj rivalëve të përjetshëm, Partizanit.
Orges Shehi mungoi para mediave fill pas barazimit Tiana- Teuta (1-1) për javën e 32 Abissnet Superiore. Pas një situate krize rezultatesh teksa bardheblutë kanë humbur dy takime e barazuar një të tretë, duket se problemi i titullit sipas trajnerit që kryeson Ligën, do të zgjidhet në takimin derbi me Partizanin.
Në konferencë sot Orges Shehi:
Rëndësia e derbit – “Rëndësia e derbit dihet, nuk ka lidhje aspak klasifikimi, se ku renditen të dyja skuadrat. Të dyja ekipet kanë dy kampionate, brenda një kampionati. Është trofeu dhe vendi i parë, por është dhe derbi që është si një trofe. Do të jetë një ndeshje ndaj një rivali historik dhe do të bëjmë më të mirën tonë.”
Ngjeshja e kalendarit – Ndeshja e fundit është shumë afër dhe mund të lërë gjurmë vetëm përsa i përket aspektit fizik. Partizani është më i avantazhuar ndaj nesh dhe nuk do të doja që kalendari të mos ishte i tillë sepse ka vetëm 24 orë më shumë se ne për të riaftësuar lojtarët.”
Aspekti psikologjik – “Ndërsa për aspektin psikologjik duhet të ‘ftohim kokën’ dhe të jemi të qetë për ndeshjet në vijim.”
Kontigjenti – “Këtë sfidë nuk jemi të plotë. Janë tre lojtarët tanë titullarë, janë tre lojtarë të rëndësishëm, por gjatë kampionatit ka pasur faza që kemi qenë dhe me kontingjent jo të plotë. Do të zbresim në fushë me një formacion që të bëjë më të mirën e tij me lojtarët që do të futen për të shkuar aty që këto mungesa të mos peshojnë shumë, por që dihen që janë mungesa të rëndësishme.”
Tifozët – “Tifozët kanë qenë dhe do të jenë arma më e fortë e këtij klubi dhe do të bëjmë maksimumin për të kënaqur ata. Ndeshjet e fundit nuk kemi qenë aty ku duhet dhe gjithmonë kur je në pozita të tilla dhe nuk kemi qenë në pritshmërinë e tifozëve.”
Ecuria – “Gjatë një kampionati ka momente të mira dhe të këqija. Nuk kemi pasur momente të këqija, normalisht që këto javët e fundit nuk kemi qenë aty ku duhet ku ka shumë faktorë që ndikojnë. Nuk ka më mirë sesa një sfidë derbi që rikthejmë entuziazmin dhe dëshirën që kanë qenë pikat që na kanë munguar këtë periudhë.”
Komunikimi me arbitrat – “Gjatë ndeshjes ka momente të tilla, kur arbitrin e ke afër, kërkon që të kesh një komunikim me të. Kemi pasur komunikim në kuadrin e kuptimit të dy situatave ku jemi, unë dhe arbitri dhe çdo gjë ka qenë mirëkuptuese.”
Mungesa e përqendrimit – “Rrallë herë ka ndodhur në këtë kampionat që në çdo ndeshje radhazi ne pësojmë gol. Kjo nuk është gjë e mirë dhe do të punojmë në aspektin psikologjik që skuadra të mos humbasë përqendrimin. Ne përballë do të kemi një kundërshtar që është historik dhe përqendrimi nuk besoj se do të mungojë te lojtarët, por nuk dua të udhëhiqemi nga doza emocionale që pastaj të na bëjë ‘të nxehet koka’.”
Sulmi – “Seferi po zhvillon një volum të madh gjatë ndeshjes. Nuk ka shënuar, por po punon shumë për skuadrën dhe kjo e fundit duhet të punojë shumë që ta nxjerrë në pozicion në shënimin. Na mungon Devid De Silva që është sulmuesi kryesor. Xhixha ka pasur problemet e veta dhe nuk e kemi aktivizuar që nga fillimi. Shpresoj që nesër sulmi ynë të rikthehet te goli dhe ta marrë skuadrën përdore.”
Duelet direkte me Partizanin – “Në përballjen me kundërshtarin tonë historik këtë sezon jemi me dy fitore dhe një barazim dhe shpresojmë që këtë ecuri ta vazhdojmë dhe nesër.”