Laçi në Pezë, Vukiçeviç në Mal të Zi
Shkarkimi i Dejan Vukiçeviç nga pankina e Laçit pas rezultateve negative erdhi si logjikë e punës së dobët të malazezit në pak më shumë se dy muaj me bardhezinjtë.
Si kurrë më parë në 21 edicione në Superiore (përjashto edicionin 2004-05 teksa kurbinasit nuk luajtën asnjë ndeshje në fushën e tij) Laçi u mund dje për të dytën herë radhazi në shtëpi duke regjistruar një tjetër tregues negativ (java e 1, Vllazninë 3-5 ; java e 2, Egnatian 0-1).
Sot skuadra do të drejtohet nga ndihmësi Klevis Hima dhe do të stërvitet në komplkesin ‘Internacional’ në Pezë-Helmës.
Ndërkaq në një situatë aspak të mirë, drejtuesit pritet të nxitojnë për të gjetur pasuesin e Vukiçeviç. Parë seriozitetin e klubit për të patur teknikë të pjacës së lartë teksa kompeticionet kampionat- Kupë janë ende në fazë fillestare, nuk përjashtohet mundësia që Laska të befasojë me ndonjë emër modest nga jugu i Shqipërisë.