Nga Uellsi, Veseli e Ramadani optimistë

Dy futbollistët e Kombëtares shqiptare, Frederic Veseli dhe Ylber Ramadani kanë dalë ditën e sotme në një konferencë zyrtare për mediat ku kanë folur për miqësoren e parë që ekipi Kombëtar do të zhvillojë ndaj Uellsit më 5 qershor. Skuadra ka mbërritur në Cardiff ditën e martë, ndërsa ka zhvilluar disa seanca stërvitore, ku trajneri Reja ka pasur mundësi të shikojë gjendjen e ekipit.

Frederic Veseli, mbrojtësi shqiptar që aktivizohet me ekipin e Salernitanës dhe që sezonin e ardhshëm do të luajë në Serie A, teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve, u shpreh se Uellsi është një ekip i fortë ndërsa theksoi se në këto miqësore grupi do të japë maksimumin, qoftë për të marrë një rezultat pozitiv, por edhe për të konsoliduar grupin. Ai foli edhe për të ardhmen e tij, teksa tha se për momentin është i përqëndruar te ndeshjet me Kombëtaren.

Ndeshja Uells – Francë – E kemi parë ndeshjen dhe deri sa morën kartonin e kuq u dukën shumë të barabartë me Francën. Sigurisht është ekip shumë i fortë, janë kualifikuar për Europianin, pra kanë kualitet. Nuk mundemi dhe ta gjykojmë shumë lojën pasi kur ke një lojtar më pak kundër Francës është shumë e vështirë. Mbaj mend edhe ndeshjen që kemi fituar me Uells-in para dy vitesh, është ekip i fortë dhe nuk duhet nënvlerësuar, pra duhet të kemi kujdes.

Vështirësi nga kundërshtarët? – Varet sepse edhe ne kemi lojtarë me shumë cilësi fizike dhe është detyra jonë t’i bllokojmë dhe mos t’i lëmë të bëjnë lojën e tyre, pra t’i mbyllim hapësirat. Sigurisht jemi përgatitur me stafin, na kanë treguar si kundërshtohet kjo mënyrë loje.

I rëndësishëm rezultati apo konsolidimi i grupit? – Normal që rezultati është gjithmonë i rëndësishëm, por ne jemi në fazë përgatitore për shtatorin. Për ne nuk ka kurrë miqësore. Qëllimi është të japim 100% në çdo ndeshje, por është edhe një mundësi për të vlerësuar formën dhe progresin tonë që të jemi gati 150% kundër Polonisë dhe Hungarisë në shtator.

Grupi i futbollistëve dhe mbrojtja? – Kjo varet, ne shqiptarët jemi të vlerësuar edhe jashtë sidomos për faktin që kemi mbrojtës që luajnë në Serie A, ku futbolli mbrojtës është pothuajse më i miri në botë. Secili jep maksimumin për skuadrën dhe e nohim dhe njëri tjetrin nëpërmjet kampionatit italian. Qëllimi është të jemi të gjithë në harmoni edhe me mesfushorët e me sulmuesit. Sigurisht këtu ka të bëjë edhe puna e trajnerit, ne ndjekim drejtimin e tij.

Eksperimente në këto dy ndeshje? – Ky sigurisht do jetë vendimi i trajnerit, ne do jemi në dispozicion maksimal. Secili prej nesh është i gatshëm të luajë ose të mos luajë, atë e vendos trajneri.

E ardhmja – Unë kam ende dy vjet kontratë më Salernitana-n. Janë shfaqur disa interesime të tjera nga jashtë, po ashtu edhe nga Italia por unë do përqëndrohem për momentin te Kombëtarja pastaj do të shohim çfarë ndodh. Normal që jam shumë i kënaqur që jemi kthyer në Serie A dhe besoj se e kam merituar pasi kam kaluar dy vite shumë të vështira, shumë persona më kanë zhgënjyer. Por gjithsesi me punën time e tregova veten dhe me pak fat me Salernitanën jemi kthyer në Serie A pas 23 vitesh. Është një event shumë i veçantë për tifozët por edhe për mua pasi për të tretën herë kthehem në Serie A. FSHF.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!