Shtatë javë, “7 hile, një trimëri”
Në vend të analizës: Isuf Myrtaj.
Shtatë javë nga fundi, 7 javë antagonizëm, 7 javë ëndrra, shpresë e këtij edicioni të jashtëzakonshëm futbolli në Shqipëri. Në Kategorinë Superiore si kurrë në 3 dekada, 5 skuadra që me 7 javë nga epilogu, besojnë se mund të shpallen kampionë.
Vllaznia, Partizani, Teuta, Laçi dhe Tirana pas 29 javëve, ndahen në një tjetër ‘7’, -pikë. Të denja për tu rikuperuar apo dyfishuar nga 5 protagonistët (do ishte bukur me një tjetër 7: kupto Kukësin dhe Kastriotin në valle lart).
Veçse kujdes! Më parë se të shkohet te 7 javë nga fundi, kanë nisur akuzat. Me stil. “Lëshimet me shkollë”, apo hilet me “qitje” nga larg. Vështroni një çast deklaratën e gjetur të Ramazan Ndreut (Kastrioti) kur përmend togfjalëshin ‘lojtarë piktorë’.
Akuzat e kampit shkodran apo kurbinas për ekipe që e gjejnë shtruar. Shihni kur të “mëdhatë”sa herë udhëtojnë në fusha ku mund të thyhen sportivisht, nxjerrin para kohe frazën “fushë e nxehtë, fushë ferri” etj. Hidhi një ‘sy’ të shkuarës së gjysmëfinaleve kur u aludua për tolerime në Kupë e revansh në kampionat.
Mos harro “kronometrin” e Bylis- Apolonia (1-0 në të 91′) i cili priste një “humbje” të Kastriotit në Kamëz me Laçin. Por dhe në Kamëz aty ky dueli Kastrioti- Laçi u gjykua nga ndërkombëtari Hamiti ndërsa u zhdëp në dru nga ish-Kamza futboll (2019) që për një duel trup me trup, largoi me të kuqe një sulmues(Nuabueze) që mund ti bënte keq kundërshtarëve të bardhezinjëve nesër.
E pra jemi vetëm 7 javë larg. Aty ku dhe Kukësi i rrënuar këtë sezon, shton një ‘7’. Pikët që e ndajnë me zonën e ftohtë (29 Bylis, 36 Kukësi).
Ndalur te gjithë këto “shtata”, duket se në këtë fund të sezonit, merr vlerë shprehja:duhen ‘shtatë hile e një trimëri”. Ja te u formësua dhe një shtatë…fituese.