Reja: Ndeshje e mirë, Anglia është superfuqi

Trajneri Reja pas ndeshjes së humbur me Anglinë (0-2) të dielën pasdite në ‘Air Albania Stadium’ flet për lojë dinjitoze dhe se përgjithësisht në mbrojtje u luajt mirë.

Në fakt tekniku ka të drejtë pasi Gjimshiti dhe Hysaj ishin më të mirët e atij grupi futbollistësh që sikundër në përballjen me Andorrën edhe sot ishin nën pritshmëri.

Reja:

E bazuam ndeshjen te markimi i lojtarëve anglezë, u tërhoqëm në mbrojtje. Ata nuk goditën asnjëherë në portën tonë në pjesën e parë. Shënuan pas një situate që krijuam ne. U treguam të rrezikshëm me Uzunin, duhet t’i bënim 5-6 herë ato dalje, por e vështirë, Anglia nuk të lejon, sepse është e fortë fizikisht.

Në planin mbrojtës bëmë një ndeshje të mirë. Diçka më mirë pjesa ofensive në pjesën e parë. Përgjithësisht, ne e bëmë lojën tonë në fazën mbrojtëse. Anglia është një ekip që është i përqendruar gjatë gjithë kohës, ata nuk bënë asnjë gabim sot.

Cikalleshi nuk ishte sot në gjendjen e tij më të mirë. Ka raste kur lojtari has vështirësi psiko-fizike, sotnuk ishte lojtari që njohim, edhe prej faktit që kishte lojtarë të mëdhenj përballë. Të gjithë lojtarët treguan edhe gjëra të mira. Në pjesën e dytë e qarkulluam topin më mirë se në pjesën e parë, kishim më shumë siguri në lojë.

Uzuni? Mëkat, na erdhi keq për atë rast. Mund t’i nervozonim nëse do të kalonim në avantazh. Do të ishte një gjë e bukur, do ishte një kënaqësi e madhe dhe do të ishim më të qetë në vijim. Keni koncepte të çuditshme në futboll. Nëse do të kishim fituar apo barazuar ndeshjen, do ishte gjetur përsëri ndonjë aspekt kritik.

Duhet vlerësuar forca e kundërshtarit. Nuk është se nuk donim të qarkullonim topin, por përballë Anglisë është e vështirë. Janë të fortë, kanë teknikë, kanë lojtarë të shpejtë, arrijnë t’i mbyllin hapësirat dhe të marrin shpirtin kur përplasesh me to.

Nuk na lanë mundësi në pjesën ofensive. Nuk jemi aq të fortë fizikisht sa Anglia. Ne luajtëm sipas planit tonë. Ndryshe do të ishin gjërat nëse nuk do të pësonim gol në pjesën e parë. Në vija të përgjithshme bëmë një ndeshje të mirë“, përfundoi Edi Reja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!