Sejdini në krye të FFM-së, Duka urim special

Pak ditë më parë, Sejdini vizitoi Shqipërinë. Sot merr fronin e Federatës maqedonase për katër vite të tjera.

Rizgjedhja e Muamed Sejdinit në krye të Federatës së Futbollit së Maqedonisë së Veriut edhe për një mandat tjetër (deri në vitin 2025), ka bërë që i gjithë faktori shqiptar të ndihet mjaft mirë.

Homologu i tij nga Shqipëria, Armand Duka, ka nisur një mesazh urimi për Sejdinin të cilin zyra për shtyp e FSHF-së e pasqyron:

Postimi:

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka uruar për rizgjedhjen, z.Muamed Sejdini në krye të Federatës së Futbollit së Maqedonisë së Veriut. Muamed Sejdini ka fituar bindshëm në një garë pa rivalë falë suksesit të mandatit të tij të mëparshëm. Presidenti Duka e uron homologun e tij dhe i uron çdo sukses në këtë mandat presidencial tek Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut.

Presidenti i FSHF-së Duka ka nënvizuar gëzimin dhe kënaqësinë e tij dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit për zgjedhjen në krye të Federatës së Futbollit të Maqedonisë Veriore të mikut Muamed Sejdini. Në vijim është teksti i mesazhit të urimit të Presidentit të FSHF-së Armand Duka.

I dashur President,

I dashur miku im Muamed,

Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe në emrin tim, dua t’ju uroj përzemërsisht me rastin e rizgjedhjes suaj si President i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut.

Jam plotësisht i bindur se me ju në krye të Federatës, zhvillimet në futboll do të vijojnë të jenë të suksesshme, ashtu sikurse ka ndodhur deri më tani. Gjej rastin t’ju uroj suksese ju dhe kolegëve tuaj në këtë mision të rëndësishëm.

Jam i sigurt që federatat tona do të vazhdojnë bashkëpunimin dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta, në të mirë të lojës tonë të dashur, futbollit.

Më lejoni, që teksa ju uroj për mandatin e ri dhe shpresoj të shijoni sa më shumë arritje, t’ju rikonfirmoj edhe një herë të gjithë mbështetjen tonë për Ju dhe Federatën e Futbollit të Maqedonisë së Veriut,

Sinqerisht i juaji,

Armand Duka,

President i FSHF

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!