Cara: Evitova shkollën për futbollin

Sulmuesi kavajas i Partizanit në një rrëfim unik. Kaka idhulli im.

Në një intervistë për rubrikën “Talenti Shqiptar”, në fshf.org, Tedi Cara tregon se dashuria për futbollin e ka bërë të sakrifikojë shkollën. Të mbajë veshur fanellën e Kombëtares, edhe pse jo ende nën urdhrat e trajnerit Reja, e konsideron si vlerësim të madh dhe tregon se ruan marrëdhënie të mira me çdo staf të ekipeve kombëtare që ai është grumbulluar dhe ka luajtur.

 Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

– Si fëmijët e tjerë, edhe unë kisha shumë dëshirë të luaja futboll dhe në fillim luanim me shokët në lagje çdo pasdite kur ktheheshim nga shkolla. Më pas, filluam të shkonim shpesh në kalçeto. Mua më pëlqente shumë të luaja dhe prindërit e mi e panë që unë kisha talent dhe luaja me dëshirë dhe me pasion të madh. Kështu, ata vendosën të më lejonin që të filloja stërvitjen me ekipin e Besës, ku shkoja çdo ditë. I jam vërtetë falënderues atyre, sepse besuan tek aftësitë e mia dhe më lejuan që unë të ndiqja pasionin tim.

– Je pjesë e Kombëtares se moshave. Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin në ekipin kuqezi?

– Fillimisht dua të theksoj që ndihem vërtetë i vlerësuar që e kam veshur këtë fanellë në çdo grup-moshë të Kombëtares dhe është një motivim shumë i madh. Me çdo trajner, me stafet e ekipeve kombëtare, me djemtë, kam pasur një marrëdhënie vërtetë shumë të mirë dhe vazhdoj të kem një marrëdhënie shumë të mirë.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani? Me kombëtaret e moshave dhe me klubin.

– E kam ende të freskët momentin më të lumtur në jetën time, që ka të bëjë me derbin kundër Tiranës, ndeshje që e fituam me rezultatin 1-0. Kam pasur shumë dëshirë të luaj një derbi dhe përveç kënaqësisë që mora që u aktivizova në lojë, arritëm edhe të fitonim.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Kur isha i vogël nuk kam shkuar shpesh në shkollë, pasi shkoja në stërvitje, por edhe shumë gjëra të tjera që i kam lënë pasi i jam përkushtuar shumë futbollit.

– Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Synimi im është që të marr ftesën e Kombëtares A dhe të luaj në një ekip jashtë vendit.

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale? Ose kush është modeli yt në futboll?

– Kur kam qenë i vogël, kam pasur idhull Rikardo Kaka dhe prej tij kam nisur ta ndjek futbollin si i çmendur. Edhe tani që jam te klubi i Partizanit, kam marrë numrin që ai ka pasur tek ekipi i Milanit, numrin 22.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!