Martini: I dominojmë rivalët goli do vijë…
Askush në vigjilje të këtij kampionati nuk do kishte guxuar të deklaronte se Teuta e re, e kompozuar për vendet e para, do të luante tri takime në shtëpi dhe nuk do fitonte asnjërën.
Në fakt Edi Martini, trajneri i Teutës, në prag të takimit të katërt shtëpiak me Kastriotin nesër, në konferencë për shtyp, foli për ecurinë e skuadrës si brenda ashtu dhe jashtë. Duke cekur edhe momentin e mungesës së golave dhe ekuilibrat mes lojtarëve të caktuar.
Martini:
Barazimet dhe mungesa e golave?
“Nuk është rënduar gjendja e skuadrës, por normalisht është diçka që duhet zgjidhur. Kemi punuar gjithë javës për këtë dhe shpresoj ta rregullojmë. Kemi kaluar situata edhe më të këqija, nuk mund të them se është e keqe.
Po të shikosh ndeshjet kemi dominuar në lojë, por nuk kemi arritur të shënojmë. Të gjithë statistikat flasin në favorin tonë. Megjithatë detyra jonë është të fitojmë ndeshjet dhe nesër besojmë se do ia dalim”
“Është e vërtetë që ne dhe Kastrioti nuk kemi humbur, por ne në çdo ndeshje futemi në fushë për të fituar. Nuk mendojmë për humbjen apo barazimin, pavarësisht se ndeshjet të sjellin rezultate të tilla. Jam i bindur që nesër djemtë, me dëshirën që kanë treguar dhe karakterin që kanë, do të japin maksimumin dhe do të fitojnë ndeshjen”.
Hebaj-Krasniqi?
“E kemi menduar edhe herë të tjera, por e provuam në Ballsh. Besoj se edhe nesër do të veprojmë njëlloj. Në ndeshjen me Bylisin u detyruam ta nxjerrim njërin jashtë, për shkak se u ndëshkuam me karton të kuq në fillim të pjesës së dytë.
Bëmë një ndeshje të mira, të dy sulmuesit luajtën më mirë. Gjithsesi rezultati jep verdiktin e fundit. Një 0-0 atje nuk është rezultat i mirë për ne.Bregu është një lojtar që ta fusësh kudo në sulm e në mesfushë. Është mjaft i mirë, ka inteligjencë. E dimë që roli i tij i preferuar është nga e majta, por na duhet aty dhe po sakrifikon për skuadrën”.