Daja ndaj të shkuarës, ‘Skënderbeu maja ime…’

Tekniku: ‘Për derbin do flas në momentin e duhur’

Në ‘Elbasan Arena’, Partizani do të presë nesër pasdite Skënderbeun për llogari të javës së pestë. Një ndeshje të veçantë për trajnerin Ilir Daja, pasi edicionin e kaluar ishte pjesë e klubit si kryetrajner.

Në konferencën e zakonshme për shtyp, Daja foli sot për vështirësitë e përballjes së nesërme, rikthimet dhe gjithëçka lidhet me takimin. Nuk preferoi të flasë për takimin pasardhës, derbin me Tiranën.

Daja:

Sa e vështirë është të përgatisësh ndeshjet në një distancë kohore kaq të shkurtër?
Kemi rritje nga java në javë, por paralelisht kemi edhe shumë gjëra për të përmirësuar. Mendoj se do të kemi vështirësi, jo vetëm ne por edhe ekipet e tjera, për shkak të ngjeshjes së kalendarit në këtë moment. Akoma më shumë e ndjejmë ne, pasi kemi pasur një grup të limituar edhe për shkak të problemeve.

Skënderbeu që do t’ju vizitojë nesër…
Koeficienti i vështirësisë do të jetë prezent nesër, jo vetëm për këto që citova më parë, por edhe sepse Skënderbeu në transferta ka bërë paraqitja të mira. Në Durrës dhe Ballsh kanë marrë pikë dhe mendoj se nesër do të kemi një ndeshje të vështirë. Gjithsesi kemi entuziazëm brenda dhe në anën psikologjike jemi pak më mirë se Skënderbeu.

Sa e vështirë është të luash kundër skuadrës që drejtove deri pak muaj më parë?
Dihet që me Skënderbeun kam kulmin e karrierës time dhe do dëshiroja ta bëja të njëjtën gjë me Partizanin. Kam kaluar shumë mirë në atë qytet ku edukata dhe kultura janë prezent në çdo moment. Nesër i kemi kundërshtarë dhe ashtu siç kam bërë me Skënderbeun duke dhënë maksimumin, ashtu do bëj edhe me Partizanin. Ky është profesioni ynë. Nesër do mendoj me të gjithë mënyrat që bashkë me ekipin të dalim me tre pikë nga ndeshja.

Keni rikuperuar të dëmtuarit ?
Kemi rikthime, por jo në ndeshjen e nesërme me Skënderbeun. Çdo rikthim do kohën e vet, ndaj nuk do të rrezikojmë asnjë prej lojtarëve të rikthyer dhe do të vazhdojmë me kontingjentin tjetër që kemi në dispozicion.

Keni filluar të mendoni për derbin me Tiranën?
Kam kërkuar nga stafi të fokusohemi te ndeshja me Skënderbeun. Ajo është shumë e rëndësishme për ne dhe për vazhdimësinë. Nëse do flisja për derbin do bëja të kundërtën e asaj që u kam kërkuar lojtarëve. Kështu që do të flas për derbin në momentin që do të vijë ndeshja. Nëse vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë, besoj se gjërat do të jenë në favorin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!