Daja: Ky grup do të jetë deri në fund të edicionit

Ndaj një kundërshtari si Kukësi, Partizani me Dajën në timon bëri fitoren e parë në dy takime të luajtura. Shifrat 0-2 i japin qetësi. Duket se filozofia e trajnerit tiranas kampion me tri klube të ndryshme e ka dhënë efektin. Pas takimit Ilir Daja tha:

A ka vend për përmirësim, pas një fitoreje të tillë?
“Sigurisht që ka vend për përmirësim dhe madje për shumë përmirësim. E nisim shumë keq ndeshjen dhe këtë gabim e përsëritëm edhe sot, por pasi të kalojmë edhe ndeshjen e Kupës të enjten, do të punojmë shumë në këtë aspekt. Megjithatë më pëlqen që skuadra reagon dhe këtë e bëri edhe javën e kaluar ndaj Kastriotit, kur kërkuam golin pasi pësuam.”

Solomon u pa shumë në formë sot…
“Në pjesën e dytë ka bërë mirë i gjithë ekipi, por veçanërisht pjesa e sipërme e skuadrës, pasi edhe Bardhi e Mala kishin detyra që të mbronin duke bërë presing lart. Kemi problem me organizimin e lojës nga poshtë, ku edhe sot gabuam shumë, por na del punë neve stafit që të përmirësojmë ekipin.”

A është e drejtë që të krijohen kaq shumë pritshmëri ndaj jush personalisht?
“Duke qenë se merkatoja ka qenë e bllokuar, njerëzit nuk janë marrë me lojtarët, por me stafin. Megjithatë është e qartë që në fushë shkojnë lojtarët dhe pavarësisht rëndësisë së stafit të trajnerëve, nuk mund të fitojmë të vetëm.”

A ka një plan përforcimesh për merkaton e janarit?
“Nuk është mirë që ne të mendojmë për merkaton e janarit, por të përqendrohemi te grupi që kemi aktualisht. Skuadra aktuale do të jetë deri në fund të sezonit te Partizani, edhe nëse na hapet merkatoja, por këtë t’ia lëmë janarit. Gjithsesi është e qartë që do të ishte mirë të përforcoheshim disi.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!