RTSH përndjek deklaratën e Libohovës…

RTSH, së pari siguron, se kurrë, për asnjë arsye nuk ka tradhëtuar misionin për të informuar në mënyrë të drejtë dhe të pavarur publikun .”

Pas deklaratës së kreut të Ligës Profesioniste, Edvin Libohova, se Liga do të ndërpresë kontratën e së drejtës së transmetimit të “highlights”-eve të ndeshjeve të Kategorisë Superiore nga RTSH Sport, institucioni i RTSH- ka reaguar duke shkruar:

Reagim:

RTSH shpreh shqetësimin për prononcimin e presidentit të Ligës Profesioniste të futbollit, z. Edvin Libohova i cili ka deklaruar para mediave se një prej vendimeve të ditës së sotme të mbledhjes së Ligës Profesioniste është mos përsëritja e kontratës të “highlights”-eve për Kategorinë Superiore. Arsyeja e këtij vendimi, sipas Presidentit të Ligës, është trajtimi që i është bërë kërkesave të tyre gjatë emisionit Rubrika Sportive.

RTSH, së pari siguron, se kurrë, për asnjë arsye nuk ka tradhëtuar misionin për të informuar në mënyrë të drejtë dhe të pavarur publikun. Ky qëndrim i Ligës, është një tentativë e dukshme për të ndikuar në linjën editoriale të transmetuesit publik. Liga Profesioniste e futbollit mund të bojkotojë Kategorinë Superiore, por nuk mund të vendosë kurrë se si duhet të organizohet një emision televiziv apo si duhet të trajtohen problematika të veçanta në emisionin Rubrikën Sportive, e cila ka 50 vjet në transmetim. Kjo nuk është hera e parë që Liga, nëpërmjet përfaqsuesve të saj më të zellshëm tenton që të ndikojë në emisionet tona, duke provuar të diktojë deri tek të ftuarit në panel, apo edhe për kronikat e veçanta.

RTSH, për të qënë sa më e balancuar dhe e pavarur që prej ditëve të para të bojkotit ka ftuar dhe ka patur të pranishëm në studio si përfaqësuesit e Ligës, ashtu edhe përfaqësuesit e qeverisë, apo të ftuar nga FSHF duke mbajtur mardhënie korrekte me zyrën e shtypit të këtij institucioni. RTSH i ka dhënë kohën e mjaftueshme të gjithë të ftuarve për të shprehur mendimin e tyre, apo edhe për të parashtruar tezat apo zgjidhjet për bojkotin e Superiores. Liga Profesioniste e futbollit nuk mund të përpiqet “të mbrojë produktin” e vet në mënyrën më të gabuar të mundshme, duke privuar publikun shqiptar të ndjekë pamjet e kampionatit të vet, nëpërmjet ekranit të RTSH-së.

I bëjmë me dije Ligës, të informohet që të drejtat televizive të Kategorisë Superiore janë shitur për një periudhë 4 vjeçare nga Federata Shqiptare e Futbollit, periudhë e cila nuk ka përfunduar ende. Garantojmë publikun që me zbardhjen e vendimit të Ligës Profesioniste, RTSH do të ndërmarë hapat e saj ligjorë për të bërë të pavlefshëme një tentativë të radhës për të “bllokuar” studiot televizive që flasin atë që mendojnë dhe jo atë që kërkojnë tu diktojnë…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!