Barazoi golin e Dostit, Poçi: “Gol në ditën e dasmës…”

Haxhi Balliu

Besnik Poçi: “Si i shënova gol Partizanit 27 vite më parë…”

 Disa vite më parë në sezonin 1991-1992  Sopoti i Librazhdit fiton të drejtën që vitin tjetër të ngjitet në Kategorinë më të lartë të Kampionatit Shqiptar.

Do të vinte 25 shtatori i vitit 1993. Në Librazhd, Sopoti do të ketë përballë ekipin e Partizanit. Rreth 4000 tifozë të ardhur nga qyteti e fshatrat përreth, do të ndjekin këtë takim të paharruar për të gjithë.

Dhe, Sopoti nuk zhgënjen. E mbyll takimin në barazim 1-1,duke qenë në disavantazh në pjesën e parë, pas golit të shënuar nga Dosti në minutën e 30 –të të kësaj pjese. Një gol gjithë magji e bomberit të kuq.

Me startin e së dytës teksa luhej e 49′-ta, Sopoti arrin të barazojë ndeshjen me anë të mbrojtësit shtatlartë Besnik Poçi. “Ishte si në përrallë të shihje afro 4 mijë vetë duke festuar…”,kujton Poçi.

Ish- mbrojtësi rrëfen sot emocionet:

Kjo ka qenë një nga ndeshjet që më ka mbetur në kujtesën time,-thotë sot pas 27 vitesh, ish mbrojtësi. Ai e kujton me nostalgji atë takim për vetë faktin se ai gol ndaj një ekipi të madh të kohës si Partizani, u realizua në një datë të shënuar për librazhdasin.

E mbaj mend shumë mirë sepse atë javë, dogja shaminë e beqarit. Goli ndaj Partizanit, erdhi si me porosi. U gëzuam të gjithë. Tifozët na përcollën si heronj pas takimit”-kujton mbrojtësi i viteve ’90.

Ndërkaq, atë sezon, Sopoti u rendit në vendin e 12-të nga 16 ekipe që kishte Kategoria e Parë, (sot Superiore) duke grumbulluar 30 pikë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!