Dermaku beson te progresi, Laçi: Grumbullim i rrallë, mësuam nga humbja…

FSHF aktive jo vetëm me axhendën e skuadrës përfaqësuese e cila gjëndet përpara dy ndeshjeve deçizive për fatet e grupit në Nations League por dhe në komunikimin zyrtar me mediat me qëllim informimin në kohë reale të publikut.

Ndërkaq përpara mediave për të folur për pragsfidat me Kazakistanin dhe Lituaninë, dolën para mediave lojtarët kuqezi Kastriot Dermaku dhe Qazim Laçi.

FSHF, zbardh konferencën për shtyp:

Kastriot Dermaku dhe Qazim Laçi kanë dalë sot në një konferencë për mediat për të folur mbi dy ndeshjet e ardhshme që kombëtarja shqiptare do të luajë ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë.

Dermaku dhe Laçi në përgjigjet e tyre kundrejt pyetjeve të gazetarëve u shprehën se në këto dy ndeshje do synohen vetëm fitore. Mbrojtësi dhe mësfushori i kombëtares komentuan edhe prurjet e reja në ekipin kombëtar A. Kujtojmë se Shqipëria do t’i zhvillojë të dyja ndeshjet zyrtare të Ligës së Kombeve në transfertë, ku në datën 11 tetor do të luajë ndaj Kazakistanit dhe në 14 tetor ndaj Lituanisë. Ndeshja miqësore e planifikuar me Armeninë, e planifikuar të luhej në 7 tetor, u shty për shkak të të situatës së rënduar dhe trazirave që po ndodhin aktualisht në Armeni.

– Kastriot, si e vlerëson lajmin e shtyrjes së ndeshjes me Armeninë? Është lajm i mirë për ju, duke qenë se keni kohë ndoshta të punoni më tepër me skuadrën për dy ndeshjet e Nations League apo do donit ta testonit në njëfarë mënyre veten për këtë ndeshje me Armeninë që duhet të luhej?
Besoj se është lajm pozitiv, pasi kemi më shumë kohë për t’u stërvitur me lojtarët e rinj. Situata në Armeni nuk më duket sikur është shumë e mirë për momentin, kështu që kemi më shumë kohë për stërvitje, më shumë ditë për t’i future lojtarët e rinj në grup dhe për t’i aktivizuar ngadalë.

– Sot në orët e para të mëngjesit është zyrtarizuar edhe kalimi juaj në skuadrën e Leçes në Serie B. Mendoni që në aspektin personal do të jetë më mirë për ju, do të keni më shumë minuta apo ndoshta do të doje të kishe më pak minuta dhe të qëndroje në Serie A, me skuadrën e Parmës?
Jam i kënaqur sepse me siguri do të aktivizohem më shumë. Kam pasur pak hapësira te Parma edhe pse kam bërë mirë kur jam paraqitur. Por kemi qenë shumë mbrojtës, 5-6 qëndrorë, kështu që vendosa të shkoj në një ekip ku kishin një projekt rreth meje dhe ndoshta gjej më shumë hapësira të luaj.

– Kastriot, ke qenë titullar në këto dy ndeshjet e fundit me Bjellorusinë dhe Lituaninë. Beson se do të jesh sërish titullar apo e ndjen konkurencën që ka për dy pozicione, sepse është Kumbulla, është Gjimshiti, Mihaj, Veseli, ndërkohë që mungon edhe Ismaljli.
Jo jemi te kënaqur sepse është konkurencë positive. Jemi të gjithë lojtarë të fortë. Kur konkurenca është positive, veç mund të përmirësojmë kombëtaren. Kështu që, kushdo që do të luajë në këto dy ndeshje, do të bëjë me siguri mirë, sepse jemi lojtarë të mirë në mbrojtje besoj.

– Kastriot, duke marrë në konsideratë mungesën e shumë nga lojtarëve që kanë më shumë eksperiencë në kombëtare, besoni se do të ndihet mungesa e tyre? Dhe a e ndjeni veten të gatshëm për të marrë pikë të plota në këto dy përballje duke marrë parasysh edhe formën që kanë treguar lojtarët e tjerë që janë grumbulluar?
Momenti nuk është shumë i mirë edhe për shkak të covidit, ka shumë probleme, kështu që, eksperienca është gjëja e mirë në kombëtare. Lojtarët që kanë vite të aktivizuar në kombëtare, sjellin gjëra të mira në grup. Jam i bindur që me lojtarët e rinj që kanë bërë lojë të mirë edhe me u-21, do grumbullohen shumë mirë këtu me grupin tonë. Unë besoj që me punë dhe me pozitivitet, çdo gjë do shkojë shumë mirë.
– Kastriot, duke ditur që jeni edhe një lider i kësaj skuadre, a mendoni që ndoshta Shqipëria në të ardhmen, me këtë grup, mund të përsërisë një ndeshje të shëmtuar si ajo e Lituanidë apo nuk ka për të ndodhur më një gjë e tillë?
Nuk jemi të kënaqur për ndeshjen me Lituaninë. Edhe pse morëm një fitore të mirë në Bjellorusi, por unë besoj që as fizikisht nuk kemi qenë në formën tonë më të mirë. Shpresoj mos të ndodhin më ndeshje të tilla.

– Cili do të jetë objektivi i Shqipërisë për këto dy transferta? Nuk janë aq të thjeshta, luajmë në Kazakistan dhe më pas, keni detyrimin ndoshta edhe dëshironi realisht të hakmerreni ndaj Lituanisë?
Ne do të japim maksimumin, duam të marrim pikët. Nuk shkojmë në fushë për barazim apo për humbje, do mundohemi të fitojmë secilën ndeshje. I kemi mundësitë t’i fitojmë, kështu që, ai është objektivi ynë.

– Kastriot, jeni prej kohësh në kombëtare dhe tashmë i njeh edhe individët apo grupin e kombëtares. Ju e përmendët që bëmë një fitore të mirë në Bjellorusi dhe pastaj ndodhi ajo me Lituaninë. A ka një shpjegim pse Shqipëria e bën gjithmonë një hap fals pas çdo performance të mirë?

Duhet të përmirësohemi mentalisht, duhet të jemi më të përqendruar. Me ekipe më të dobëta e kemi më të vështirë për momentin, por jam i bindur që gjërat do shkojnë shumë më mirë. Fitorja në Bjellorusi na solli pozitivitet por fizikisht nuk kemi qenë mirë, kemi qenë të lodhur në ndeshjen me Lituaninë.

– Dermaku, ajo humbje me Lituaninë, a jua ka shtuar më shumë inatin për të marrë pikë të plota në këto dy ndeshje?
Duam t’i fitojmë këto dy ndeshje sepse ajo ishte humbje e papritur.

Qazim Laçi
– Si mendoni se do të jetë paraqitja e kombëtares duke marrë parasysh se Edi Reja ka thirrur shumë emra të rinj për t’u grumbulluar në ndeshjet kundër Lituanisë dhe Kazakistanit?
Do jetë shumë interesant ky grumbullim, pasi si tha dhe Kastrioti, do mungojnë shumë lojtarë me eksperiencë. Por edhe lojtarët e rinj që kanë ardhur tani kanë dhënë maksimumin nëpër ekipet e tyre, prandaj ndodhen edhe këtu. Besoj se do jetë një grup i mirë dhe tani mungon ta tregojmë në fushë.

– Debutuat si titullarë në ndeshjen ndaj Lituanisë, mendoni se do aktivizoheni prapë si titullar në këto ndeshje që nga minuta e parë?
Nuk ishte debutimi që kisha menduar ai debutim me Lituaninë, pasi nuk arritëm atë që donim si ekip. Shpresoj të jem gjithmonë titullar me ekipin kombëtar, por kjo është zgjidhja e trajnerit, dhe unë çdoherë do jap maksimumin në ekipin kombëtar dhe në klubin ku luaj që të jem gjithmonë i gatshëm për trajnerin.

– Skemën 3-5-2 që tashmë kombëtarja shqiptare e ka përvetësuar, e shikon si ideale dhe që i përshtatet duke marrë në konsideratë edhe grupin që ka trajneri Reja?
Këto skema janë zgjidhje të trajnerit dhe ne lojtarët, çdo zgjedhje të trajnerit duhet të jemi gati për ta përballuar. Por, ne lojtarët, me çdo trajner dhe skemë, duhet ta përvetësojmë sa më shpejt që të japim maksimumin në fushë.

– Si ndihesh në kampionatin francez, je tashmë i konfirmuar te skuadra atje? Dhe, vetë emocionet e debutimit i the që nuk ishin ato që doje, por a ka akoma Shqipëria për të parë nga Qazim Laçi?
Kampionati në Francë është shumë i mirë dhe kam katër vite aty dhe po ndihem mirë dhe për momentin nuk po mendoj të largohem. Performancën që dhamë ndaj Lituanisë nuk e priste askush, as ne lojtarët. E morëm pak lehtë ndeshjen sepse kujtuam se do fitojmë. Të gjitha ndeshjet do jenë shumë të forta për të gjitha ekipet sepse të gjitha kanë humbur dhe të gjitha kanë fituar. Ne në çdo ndeshje do japim maksimumin që të marrim sa më shumë pikë dhe ky është objektivi ynë.

– Qazim, trajneri kur prezantoi listën, tha se objektivi i vërtetë i kësaj skuadre është Euro 2024. Ti tani që je brenda kësaj skuadre dhe i shikon elementët, a i ka cilësitë realisht, që kjo skuadër të synojë një vend për në Europianin e 2024. Ku e shikon veten më shumë, në pozicionin e cilit ish-mesfushor që ka mbajtur këtë fanellë?
Sigurisht që i ka ekipi cilësitë. Kemi shumë lojtarë dhe trajneri mund të zgjedhë. Ekipi ka një shans të madh tani dhe ne lojtarët duhet të japim maksimumin në fushë që të marrim fitore. Kemi mësuar nga humbja me Lituaninë dhe besoj do jemi më mirë.

– Qazim, ke komunikuar me trajnerin Reja, duke qenë se ai është nga trajnerët me eksperiencë dhe i pëlqen t’i japë këshilla të rinjve? Dhe nëse po, çfarë këshillash ke marrë?
Kemi komunikuar dhe në ndeshjen kundër Lituaninë ku isha titullar, më ka folur dhe më ka thënë çfarë priste nga unë. Dhe trajneri nuk ka kohë të diskutojë me çdo lojtar. Çdokush nga ne është më i përqëndruar te ndeshjet. Çdo gjë që thotë trajneri duhet ta përvetësojmë sa më shpejt dhe ta tregojmë në fushë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!