Gjici flet si ekspert

Në një intervistë të dhënë për “News24”, presidenti i Nderit te Kukësi Safet Gjici, ka folur gjërë e gjatë për të gjitha zhvillimet te klubi verilindor. Stadiumin në ndërtim, largimet e të gjithë titullarëve, çështjen ‘Nexhipi’, bojkotin, objektivat etj.

Gjici thotë se Kukësi nuk ka firmosur për bojkot dhe se te ekipi i Gegës do vijnë edhe 3 futbollistë të cilësisë së lartë. “Nexhipi do jetë në detyrë” thotë Gjici.

“Punimet në stadiumin nuk po ecin mirë për shkak të pengesave të fondeve nga FSHF, firma e parë e ka përfunduar kontratën e vetë, kontrata nuk është përfunduar akoma. Problem është financimi. Financimi i bllokuar në fakt nga federata, por dhe pjesa e detyrimit të qeverisë pasi stadiumi është 50 me 50 me fondet e UEFA-s. Kështu fusha që ka ngel, është bërë gati për tapet, por e ka detyrim federata për ta bërë, po ashtu stolat dhe ndriçimi janë detyrim i Federatës, këtu kemi ngel. Natyrisht nga disa shtesa që ka bërë dhe qeveria, pas inspektimit që bëri kryeministri para disa muajsh, ato ende nuk kanë filluar. Ne kishim planifikuar që tani ekipi të kthehej në stadium, por realisht pengesa e këtyre investimeve ka bërë që stadiumi të mos ec në ritmet e duhura.

Ne ekipin e bëjmë gjithnjë për titullin kampion, sërish jemi për titull pavarësisht se shumë zëra flasin ndryshe. Unë kam biseduar me klubin dhe klubi është në rrugën e duhur. Janë larguar disa lojtarë që nuk ishin në planet e trajnerit, 2 lojtarë janë larguar duke prishur kontratën në mënyrë të njëanëshe, Musolli dhe Etemi. Ata janë në procedurë ankimimi, është një gjë që nuk e kemi pritur në fakt, por FSHF i ka dhënë lejen e kartonit Musollit që është në kontratë edhe për një vit. Kanë filluar procedurat e ankimit, do ta ndjekim deri në fund.

Nuk ka asnjë situatë kaotike. Klubi ka ato strategjitë e veta, natyrisht që ne kemi një grup me një moshë mesatare jo më shumë se 26 vjeç dhe besojmë shumë të stafi teknik dhe tek lojtarë që mund të realizojnë objektivin titull për këtë. Flitet vetëm për largime, por jo për afrime, janë marrë disa lojtarë shumë të mirë dhe ky është një problem i madh i mediave, abuzojnë në këtë pikë. Kështu thonë çdo vit për Kukësin që u shkatërrua, por tifozët të rrinë të qetë se nuk kanë parë asgjë akoma.

Nexhipi vazhdon të jetë drejtor teknik i klubit. Nexhipi do të bëj një merkato shumë të fortë, siç ka bërë deri më tani. Do blejmë edhe 2-3 lojtarë deri në fundin e merkatos dhe nuk ka nevojë më shumë trajneri Gega për të kompletuar ekipin në të gjithë ato reparte që ka pasur probleme dhe unë besoj fortë tek këta lojtarë të cilët janë të rinj në moshë por janë shumë cilësorë, të sprovuar edhe me ndeshjet në Europë. Unë besoj se klubi është në rrugën e duhur dhe do të shihni një fytyrë tjetër të ekipit të Kukësit dhe një lojë tjetër.

Unë e kam thënë dhe e them përsëri, jam kundër bojkotit. Klubi i Kukësit nuk ka firmosur kurrë për bojkot por ka firmosur për katër kërkesat që janë mëse të drejta. Të bësh bojkot pafundësisht nuk jam dakord. Lojtarët duan rrogat, kush ja paguan? Këto katër kërkesa janë në të mirë të klubeve, fusin klubet në formalizim por bojkot pa fund nuk mund të ketë. Të dëgjosh një njeri që ka ardhur dje në Superligë, dhe e bën politikisht këtë, siç është Kokëdhima, kjo është e papranueshme për ne që jemi prej vitesh pjesë e Superligës. Unë i bëj thirrje të gjithë kolegëve të mos heqin dorë nga kërkesat por për këto duhet të ulen në tavolinë, të gjemë zgjidhje.

Shantazhe e presione qeverisë nuk mund t’i bëj as Koço e askush tjetër si ai. As ai që e ka fut dhe e ka nxit të merret me këtë punë. Me qeverinë duhet të ulemi në tavolinë, çdo gjë është e zgjidhshme nëse ulemi në tavolinë, është e mundur. Edhe qeveria ka interes të formalizoj klubet por edhe ne kemi interes sepse realisht nuk mund të investojmë pafund në sport pa asnjë lloj ndihme nga shteti. Një pjesë e ekipeve kërkojnë që të vazhdoj bojkoti por një pjesë tjetër thonë që duhet t’i rikthehemi fushës dhe me forma të tjera të kërkojmë realizimin e kërkesave, kjo është krejt normale dhe unë e mbështetës këtë propozim të një nga kolegët e Ligës.

Lojtarët nuk duan t’ia dinë për bojkot, ata duan rrogat në fund të muajit. Kubet kanë të drejtat e tyre për kërkesat, këto mund të negociohen. Vitet për tu formalizuar, ku klubet kanë kërkuar 10 vite, mund të arrihet një marrëveshje. Por duke dëgjuar një person si Kokëdhima. Duhet të ulemi me qeverinë dhe të diskutojmë. Duhet të luajmë futboll dhe paralelisht të kërkojmë të realizohen kërkesat. Nuk mund të përdoret Liga për këto, në fund të fundit presidentë e klubeve investojnë vetë nga të ardhurat e familjeve. Kokoëdhima paguan vetëm nga 200 mijë, të jemi realistë për këtë. Kjo që po ndodh, do të jetë një humbje e madhe për futbollin kjo që ndodh, pasi e theksoj që lojtarët kërkojnë pagat në fund të muajit”, tha Safet Gjici.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!