Fangaj firmos me kusht në Shkodër
Vllaznia i beson një shkodrani me klas si Fangaj. Pas dëmtimit me Bylis, ish mbrojtësi bardhezi, u impenjua në Zagreb me operacionin dhe më pas nisi rikuprimin.
Kurbinasit me të cilin u aktivizua disa edicione, nuk besuan më te lojtari i linjës së djathë. Vetë Fangaj pak javë më parë, njoftonte largimin nga Laçi. Sot nënshkruan një parakontratë me Vllazninë.
Klubi e zyrtarizon lëvizjen në rrjete.
“Vllaznia ka bërë realitet sot edhe një tjetër firmë në kontratë. Drejtuesit e klubit në përpjekje për të ndërtuar një ekip cilësor, vijojnë edhe punën për rikthimin e futbollistëve të talentuar shkodranë që kanë luajtur me ekipet e tjera. Dhe i rradhës që rivishet kuqeblu është mbrojtësi Abdurraman Fangaj. Pas disa sezonesh aktivizimi në rradhët e Laçit, tashmë 23 vjeçari do të jetë pjesë e Vllaznisë.
Lojtari është në fazën e rikuperimit pas një ndërhyrje kirurgjikale që ka bërë kohët e fundit dhe për këtë arsye sot ka firmosur një parakontratë me klubin tonë e cila do të hyjë në fuqi në janarin e vitit të ardhshëm. Me Fangajn është rënë dakord që ai të jetë pjesë e skuadrës së Vllaznisë për 3 sezonet e ardhshme. Mirë se erdhe në shtëpi Abdurrahman!”.