Bushi: Skuadër e madhe, Kallaku? Ka shumë klas

Ia doli. Alban Bushi tekniku i U21, ka të drejtë të krenohet për skuadrën që në dy takime dhuroi spektakël, gola, e evidentoi një grup që garanton të ardhmen kuqezi të skuadrës A.

Pas suksesit pak ditë më parë në Austri 1-5, sot U21 pati start maloreje. Andorra e nisi me një gol nga penalltia por pas atij goli të A. Selmanit në pjesën e dytë, Bushi me të tijtë, ia gjetën modulin skuadrës nga vendi i vogël iberik. 3-1 shifrat dhe fundi me elozhe nga Bushi për të tijtë para mikrofonëve të RTSH sport:

Alban Bushi:

Nuk ka kundërshtarë të vegjël, janë të organizuar mirë në mbrojtje. Janë lojtarë që luajnë në liga të ulëta spanjolle, por mbrohen mirë. Na shënuan të parët dhe e kishim të vështirë, tentuam gjatë gjithë lojës të luanim nga krahët se mblidhen në zonë, krijuam raste, bëmë volum. Erdhi lodhja por kush u fut i dha ritëm tjetër lojës, dua të falënderoj lojtarët se kemi bërë dy ndeshje në katër ditë dhe ndjehej lodhja.

Frikë nga dështimi si Kombëtarja A? “Nuk i trembesha, këta djem kanë ego e dëshirë për të arritur lart, nuk e kisha ndjenjën, se nënvlerësimi nuk ekziston te ne. Ekipi i Andorrës ishte i vështirë për t’u çarë, para tre ditësh luajtën në Turqi dhe i mundën 1-0 me vështirësi.

Që kur jam bërë trajner gjithmonë mendoja se për gjyqtarët nuk do të thosha asnjëherë ndonjë gjë. Por kam kaq vite në futboll që luaj e drejtoj, si ky gjyqtar nuk kam parë kurrë. Ai ka ardhur me qëllim këtu, nuk di çfarë emri ti vë. Edhe nëse nuk do të fitonim nuk do ta justifikonim me gjyqtarin, por arbitri ishte nota 0.

Sidomos këto ndeshje kemi luajtur me 16 lojtarë të rinj, janë shumë që nuk kanë qenë me Shpresat asnjëherë. Ishte e vështirë të kuptonin filozofinë tonë, por derisa e kuptuan, luajtën me disiplinë e qëllim. Kjo do të thotë se janë lojtarë klasi, kush e kupton trajnerin shpejt ka kualitet. Këta me 80% janë me U21 në edicionin tjetër, janë pretendentë për ekipin A.

Para Austrisë e kam thënë që ishte e vështirë, por shkojmë me qëllim për të fituar, ne kemi ekip të mirë, me minuta në këmbë. Sidomos lojtarët shqiptarë që luajtën në Europë, ata të Laçit, Tiranës e Teutës, na kanë ndihmuar. Kemi dy muaj për të përgatitur ndeshjen e radhës, Kosovën, do e marrim ndeshje pas ndeshje.

Më kënaq shumë se janë lojtarë të rinj, sidomos Selmani se është i ri (i referohet Adolf Selmanit: redaktori). E kam pasur te klubi im dhe mendoja se ishte e vështirë të bëhej futbollist, por me punë arrihet gjithçka. E marr si shembull edhe në mbledhje se në kohë të shkurtër është bërë lojtar i madh, do të bëhet edhe më më shumë nëse vazhdon kështu.

Kallaku ? Është lojtar klasi, ka shumë klas, nuk mendoj se Shqipëria ka pasur ndonjëherë lojtar si Kallaku sa i përket cilësisë, teknike dhe inteligjencës për të pasuar. Ai është rritur se ka qenë dobët fizikisht, e ka marrë veten: Kam shpresë që do të bëhet lojtar shumë i mirë, për kombëtaren A nuk diskutohet, por edhe me ekipe cilësore në Europë nëse vazhdon kështu”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!