Partizani i zhgënjyer, 2 sesione pa merkato!

Partizani në konfliktin me FIFA-n, për të ashtuquajturën “çështja Çinari”, ka dështuar. Ndryshe nga sa pritej, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv me qendër në Lozanë të Zvicrës ka lënë në fuqi vendimin e FIFA-s.

Kjo do të thotë që “të kuqtë” kryeqytetas, për dy sesionet e ardhshëm, nuk do të mundet të hyjë në merkato për të përmirësuar organikën e skuadrës së tyre, gjë që kuptueshëm cënon drejtëpërdrejt edhe objektivat e klubit.

“Klubi njofton se është njohur sot me vendimin e ndërmjetëm të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS), i cili lë në fuqi vendimin e Dhomës së Zgjidhjes të Konflikteve të FIFA-s për pezullimin e klubit nga pjesëmarrja në dy sesionet e radhës të merkatos. Duke siguruar sportdashësit dhe opinionin sportiv se Partizani ka vepruar përherë konform të gjitha rregullave dhe legjislacionit sportiv shprehim zhgënjimin tonë mbi këtë vendim që cënon ecurinë tonë në kampionatin që sapo pritet të filloj. Në arsyetimin e saj CAS ka vlerësuar se pezullimi nga dy sesione të merkatos nuk shkakton dëme të pariparueshme dhe afatgjata ndaj klubit.

Pavarësisht se ky vendim në arsyetimin e tij na pengon në zhvillimin normal të projektit sportiv për sezonin aktual, FK Partizani do të vijojë punën e pandërprerë me gjithë vështirësitë e krijuara duke patur besimin maksimal tek stafi teknik dhe lojtarët aktualë.

Për sa i përket gjyqit në CAS, klubi po punon për të siguruar mbrojtjen ligjore dhe synon fitimin e gjyqit përpara sesionit të ardhshëm të transferimit të lojtarëve,”- njofton klubi kryeqytas i Partizanit tifozët e tij nëpërmjet rrjeteve sociale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!