Superkupa, Tirana dhe Teuta për trofeun e parë sezonal
Tirana kampione e vendit dhe Teuta fituese e Kupës së Shqipërisë do të diskutojnë sot në orën 20:00 në “Elbasan Arena” Superkupën e Shqipërisë.
Një duel i cili para shortit të UEFA-s sot për skuadrat shqiptare paragjykohej si një ‘shëtitje’ përpara ndeshjeve të nivelit të lartë europian. Por duket se lajmet nga Nioni, kanë prishur planet e teknikëve Egbo e Martini.
Edhe pse një trofe ‘honorifik’ (në kuptimin pa asnjë vlerë monetare: shënim i redaktorit), Tirana ka arsye për të tentuar trofeun. Skuadra bardheblu jo vetëm që po kalon periudhën më të shëndoshë psikologjike e monetare, por ka edhe një muaj kohë për të përgatitur takimin “play-off” në Europë.
E kundërta ngjet me Teutën. Shorti i pamëshirshëm sot për durrsakët, mund të bëjë që Teuta t’i përvishet Superkupës e të luajë për ‘qejf’ me Granadën spanjolle më vonë në Europa League.
Gjithsesi, në mes është edhe dinjiteti sportiv. Për të treguar se të dyja klubet, janë gati të pretendojnë titullin e edicionit të 82-të.