Idrizi hap ‘barkun’, miratohet vijimësia…
Këshilli Bashkiak i Vlorës i hap dritën jeshile Sinan Idrizit për të vijuar punën te Flamurtari i Vlorës. Ditën e sotme, në Bashkinë e Vlorës është zhvilluar mbledhja, pas propozimit me shkrim të administratorit Idrizi, kontrata e të cilit pati përfunduar në fund të sezonit. Kreshnik Çipi, Sokol Kushta dhe Robert Islamaj janë caktuar në staf të bordit.
Idrizi ka bërë në këtë takim një rezyme të plotë të punës, duke treguar shkaqet që dërguan Flamurtarin në Kategori të Parë dhe objektivët e rinj…
“Ekipi ka rënë nga kategoria për shkak të keqmenaxhimit tim, kjo është e padiskutueshme. Do e nis nga aty ku nuk duhet. Para 6 vitesh ishim këtu dhe kishim një stadium që nuk kishte banjo, sot jemi i vetmi qytet që nuk kemi fusha ku të luajnë fëmijët. Edhe një fushë që e ka bërë Federata, nuk ka banjo. Fieri ka 6, Durrësi ka 8, Librazhdi ka 2, Ballshi ka bërë 3. Ne nuk kemi asnjë.
Nëse ju keni 6 vite që nuk hidhni lek për klubin e Flamurtarin, nga ana tjetër ju nuk keni çfarë tregoni, një investim të bërë në objekte në 12 apo 30 vite. Që nga stadiumi, nga pallati i sportit, që janë që nga sistemi i kaluar. Keni harxhuar para për futbollistë që ikin e vijnë.
Qyteti nuk ka asgjë, nuk kemi çfarë të tregojmë. Nëse duam të marrim kupa e të blejmë ndeshje, hajde t’i blejmë. Por nuk blej ndeshje. Unë bie si burrat në fushë, zvarranik nuk bëhem. Ka gjashtë vite që them hajde ndërtojmë Vlora Sport.
Për ta bërë duhet që t’ia dalim pa marrë paratë e shtetit. Nuk kanë pse paguhen lekë për paga lojtarësh. Gjashtë vite më parë u miratuan 1.2 miliard lekë për paga lojtarësh. Unë e rrëzova ekipin, por nuk i vodha qytetit 1 milion dollarë.
Kam 6 vite që them që dua të investoj. Te Pylli i Sodës që është zonë e amortizuar, dua të ndërtoj akademinë, dua të më ndihmoni. Nuk dua asnjë lek. Le të bëjmë dy fusha, të bëjmë banjo. Ejani e shikoni si djersijnë lojtarët. Ne nuk kemi banjo e do flasim për futboll.
Për Flamurtarin nuk ka ligj për të investuar, kurse kioskat bëhen nga fillimi në fund. Për ne është zonë e mbrojtur, për të tjerë jo. Ose të jetë e bashkisë, ose të jetë e privatit. Nuk vazhdohet me edhe e këtij, edhe e atij”, u shpreh Idrizi teksa nuk lë pa kritikuar edhe ata që e ‘votuan’.