Malota-Vllaznia, rrugët ndahen…
Rruga e Renato Malotës me Vllazninë është ndarë. Ndërsa skuadra shkodrane ka zbritur në fushën e “Loro Boriçit”, mbrojtësi lezhjan Renato Malota, nëpërmjet rrjeteve sociale, ka deklaruar “divorcin” me Vllazninë, ku është ndjehet si “djalë Shkodre”, siç shprehet ai.
“Përshëndetje të gjithëve. Nga sot nuk do jem më pjesë e Vllaznisë. Ndjehem mirë që në momentet më të vështira nuk e braktisa kurrë Vllazninë, edhe pse ofertat nuk më kanë munguar asnjëherë.
Dua të falënderoj kryetaren e Bashkisë Shkodër për respektin që më ka dhënë, gjithashtu administratorin Lici që ka qenë korrekt dhe transparent me ne lojtarët.
Në fund dua të bëj një falënderim për tifozët shkodranë, të cilët më kanë bërë të ndjehem si të isha një djalë Shkodre. Këtu mbyllet aventura ime me Vllazninë. Ju uroj shumë suksese dhe gjithmonë do keni një vend të veçantë në zemrën time”, shkruan Malota në rrjetet sociale.
31-vjeçari Renato Malota është një futbollist me një CV të pasur sportive. Pas fillimeve me skuadrën e vendlindjes, Besëlidhjen e Lezhës, mbrojtësi shtatlartë u bashkua me skuadrat kryeqytetase të Partizanit, Dinamos.
Më pas, për katër sezone ishte pjesë e Kukësit, për t’u rikthyer sërish tek “të kuqtë”, para se të stacionohej për dy sezone në radhët e Vllaznisë, së cilës i qëndroi besnik edhe kur ajo zbriti në Kategorinë e Parë.