“Çështja Zderiç”, Kukësi i drejtohet CAS

Ndërsa klubi verilindor ka prezantuar Skënder Gegën, si trajnerin e ri të tij për sezonin e ardhshëm, ka shpërthyer edhe “Çështja Zderiç”. Nga sa është mësuar, FIFA që nga janari i ka bllokur skuadrës së Kukësit merkaton, për shkak se ish-futbollisti i saj Filip Zderiç është ankuar në institucionin e lartë të futbollit botëror për moskorrektësi financiare nga ana e klubit të Kukësit.

Reagimi i klubit verilindor ka qenë i menjëhershëm. Ai ka përgatitur dosjen dhe i është drejtuar Gjykates së Arbitrazhit Sportiv (CAS) me seli në Zvicër, duke ankimuar vendimin e FIFA-s dhe për ta zgjidhur këtë problem, që sipas kuksianëve nuk qëndron.

“Futboll Klub Kukësi kërkon të sqarojë opinionin sportiv në lidhje me një vendim të dhënë nga FIFA në muajin janar, ku është bllokuar merkatoja jonë për shkak të një ankimimi të ish-futbollistit tonë Filip Zderiç.

Është e vërtetë që në klub ka ardhur një vendim i tillë, mirëpo ky vendim është i pakuptimë dhe klubi ka marrë masat e nevojshme për ta çuar çështjen deri në fund. Ky vendim tashmë është në CAS dhe është pikërisht kjo gjykatë, ajo që do të thotë fjalën e fundit.

Klubi ju siguron se nga kjo çështje, do të dalim të fituar sepse nuk ka asgjë të vërtetë nga ajo çka pretendon futbollisti në fjalë.

Mbrojtësit i është komunikuar që të bashkohet me grupin në grumbullim, mirëpo futbollisti ka refuzuar dhe për pasojë klubi e ka dënuar duke e dërguar të stërvitet me Kukësin B (aktiv asokohe). Futbollisti nuk e ka marrë parasysh këtë dënim të klubit, duke u larguar nga Shqiperia e duke shkelur kontratën dhe njëkohësisht duke bërë një denoncim me pretendimin se nuk është paguar.

Klubi ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm në CAS dhe tashmë jemi në pritje të vendimit për të fituar gjyqin!”,- shkruhet në komunikatën që shpërndarë zyra e shtypit e klubit të Kukësit ka postuar në faqen zyrtare të verilindorëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!